"Koha për të zgjedhur përsëri: Ndryshim apo ngecje? Të ardhmen apo fantazmat ", Mesazhi tjetër i ambasadores Yuri Kim

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, do të japë mbrëmjen e sotme një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ku pritet të flasë për zhvillimet politike në Shqipëri.

Në një postim në Twitter ambasada amerikane zbulon një mesazh të ambasadores Kim, e cila ndalet te diplomacia, duke thënë se ajo ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri.

"Pra, detyra ime e parë, përparësia ime e parë është të sigurohem që qeveritë tona të kenë një marrëdhënie të mirë pune. Por përtej kësaj, diplomacia ka të bëjë me më shumë se thjesht qeveri me qeveri; ka të bëjë edhe me marrëdhënien njerëz me njerëz, madje edhe bizneset. Dhe prandaj më shikoni mua dhe diplomatë të tjerë në ambasadën amerikane të udhëtojmë rretheqark vendit, sepse kemi punë këtu në Tiranë me zyrtarë qeveritarë, por kemi shumë më tepër punë – dhe kur them punë, flas për marrëdhëniet – me pjesën tjetër të Shqipërisë”, shkruan ambasada.

Ndërsa vetë ambasadorja është ndalur te 30 vite tranzicion të vendit duke thënë se ka ardhur koha për të zgjedhur nëse do të ketë ndryshim apo ngecje.

"30 vjet që kur Shqipëria u çlirua nga diktatura komuniste. 30 vjet tranzicion. Koha për të zgjedhur përsëri: Ndryshim apo ngecje? Luftoni për brezin e ardhshëm apo mbroni fantazmat? E ardhmja apo e shkuara? Le të shikojmë drejt së ardhmes. Amerika she Shqipëria do të bëjnë së bashku," shkruan ambasadorja në Twitter.