Rama kërkon votëbesimin për qeverinë "Rama 3": Do jetë më e suksesshmja me ndihmën e Zotit e kokëfortësinë tonë

Me dorën shtrirë për bashkëpunim me opozitën dhe kategorik kundër çdo ndërmjetësimi të huaj kryeministri Edi Rama kërkoi sot në Kuvend votëbesimin për programin e qeverisë “Rama 3”

Rama  e quajti program ambicioz dhe që do të bëjë çmos që ky mandat historic i PS-së në qeverisje të jetë më i suksesshmi

 “ Program ambicioz që shpresoj se me ndihmën e Zotit të shqiptarëve që është i madh dhe mbështetjen e  shqiptarëve, me vizionin, pasionin durimin dhe kokëfortësinë që nuk na mungon do ta realizojmë duke punuar tre herë më shumë në këtë mandat historik për PS.

Do bëjmë çmos ta kthejmë në më të suksesshmin e një qeverie demokratike shqiptare jo deri më sot se kjo është e lehtë por për vite e vite më pas"

Prezantimi zgjati për gati 1 orë e 40 minuta dhe u mbyll me duartrokitjet e deputetëve socialistë. PS ka 74 mandate në këtë legjislaturë të re të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

Qeveri me gratë

Kryeministri kërkoi votëbesimin e qeverisë së re e cila është e para me më shumë gra ministre.

"Kjo është qeveria me vëmendjen më të lartë të grave në Shqipëri. Jam krenar. Nuk ishte pikënisje e qëllimshme si në mandatin e parë, por pikëmbërritje e natyrshme" tha ai.