Rama mesazh Bashës në Kuvend: Të hapur të dialogojmë me ju, por... Harro urdhrat, kërcënimet e ndërmjetësuesit e huaj
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe njëherë dorën e shtrirë për opozitën. Nga foltorja e Kuvendit teksa prezantoi programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme, Rama premtoi para deputetëve të opozitës një mandat ndryshe, ndërsa ju tha këtyre të fundit se është gati të dialogojë, për sa kohë nuk do ketë kërcënime apo shantazhime nga ana e opozitës.
Kryeministri, Edi Rama, ka përsëritur edhe njëherë dorën e shtrirë për opozitën. Por me kushtin, që të heqë dorë nga kërcënimet, pasi siç tha ai, as ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve nuk do ta pranojë më sa i përket problemeve të brendshme.
"Të jemi të qartë. Nuk duam asnjë lëshim nga ju por jemi gati të dialogojmë me ju për çdo lëshim që ju bëni. Ne nuk na duhet asnjë votë e juaja dhe nuk synojmë të arrijmë asnjë kompromis që ju nuk e dëshironi, por jemi gati të merremi vesh me ju për çdo gjë që ju dëshironi dhe i bën mirë vendit njerëzve dhe të ardhmes.
I kemi dëgjuar në distancë disa synime tuaja. Jemi të hapur të dialogojmë drejtëpërdrejtë me ju por një gjë mbani mend: me urdhra me kërcënime me ultimatume me ne nuk keni arritur dhe nuk do të arrini asgjë, ndërsa me komunikim të drejtëpërdrejtë duke folur me njëri tjetrin mund të merremi vesh për shumëçka.
Asnjëherë dhe për një arsye unë dhe kjo shumicë qeverisëse nuk do të pranojmë asnjë lloj ndërmjetësuesi të huaj për të zgjidhur problemet, ngërçet, krizat e brendshme politike apo institucionale. Ato shkaktohen alla shqiptarçe nga ne e nga ju prandaj duhet të zgjidhen vetëm nga ne e ju. Jo duke folur anglisht por vetëm shqip."
Nga foltorja e Kuvendit, dhe pa praninë e Sali Berishës në sallë, Rama paralajmëroi deputetët dhe zyrtarët e lartë që do jenë të barabartë para drejtësisë.
"Toka lëkundet nën këmbët e atyre që deri dje vrisnin e prisnin dhe e shikonin ligjin, shtetin, popullin nga lart poshtë duke përdorur prokuroritë si shampo dhe gjykatat si krehër për ti bërë karshillëk me flokët përpjetë dhe kokën edhe më përpjetë se flokët një popull i tërë".
Dhe me premtime për investime strategjike në katër vitet e ardhshme, Edi Rama kërkoi votëbesimin e Kuvendit për qeverinë e re të mandatit të tretë.
Në punimet e paradites ra në sy mungesa e ish-kryeministrit Sali Berisha në sallë, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha do të mbërrinte në sallë pas nisjes në punimeve.