Programi i qeverisë "Rama 3" sot në Kuvend, a do ketë rrjedhje vote

Kuvendi i Shqipërisë ditën e sotme ( 16 shtator) në orën 10:00 do të zhvillojë një seancë maratonë.

Në rend dite do të jetë prezantimi i programit qeverisës të qeverisë “Rama3”, nga ana e kryeministrit Edi Rama.

 Më pas, në orën 13:00 do të ketë vend për debate, ku do të përfshihen edhe deputetë të opozitës, me propozime pro ose kundër të asaj që do të deklarohen nga kreu i qeverisë.

Pritet me interes sa vota do të marrë qeveria dhe nëse do të ketë rrjedhje votash.

Një ditë më parë (15 shtator) mazhoranca bëri publik programin për 4 vitet në vijim.

Në dokumentin e siguruar nga Ora News thuhet se programi është konceptuar “si një plan i kujdesshëm dhe i detajuar reformash dhe aksionesh, që synon të materializojë në çdo qelizë të qeverisjes vizionin "Shqipëria 2030", një projekt madhor që mishëron ambicien për ta çuar Shqipërinë në nivelin tjetër të zhvillimit.”

Programi i qeverisë mbështetet në 5 shtylla kryesore:

1. Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia;

2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që

 krijon shanse për të gjithë.

3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë,

 bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve;

4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen;

5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet

 në botë.