Berisha nis sot turin e takimeve për një "PD më të bashkuar"

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha ditën e sotme (16 shtator) do të zhvillojë takimin e parë me bazën lidhur me vendimin e Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar i PD-së.

Zoti Berisha njoftoi dje me anë të një postimi në Facebook se "ditën e sotme në orën 18:00 nis ciklin e “Foltores për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë dhe më të hapur.”  

Foltorja do të jetë një bashkëbisedim me demokratët që nis në Tiranë dhe do të udhëtojë në të gjithë vendin.

Anëtarët e Forumit Rinor të Partisë Demokratike ditën e djeshme (15 shtator) kërkuan  referendum për vendimin e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi Parlamentar.

30 nga 40 anëtarët e kryesisë së FRPD-së mes të cilëve edhe Glauk Olldashi i dorëzuan zyrtarisht kërkesën Gazment Bardhit, duke e  cilësuar si veprim personal të Lulzim Bashës.

“Po ju drejtohemi, nëpërmjet këtij peticioni lidhur me situatën e pa precedent të krijuar nga vendimi personal  i Kryetarit të Partisë Demokratike,   për përjashtimin nga Grupi Parlamentar, i deputetit Profesor Doktor Sali Berisha," shkruhej në shkresën e dërguar.

Pjesa më e madhe e kryesisë së forumit rinor,  e konsideron  largimin e  Berishës,  nga grupi i PD-së në shkelje të plotë të statutit, parimeve, vlerave të PD-së, si dhe sipas tyre  rrezikon në  përçarje të thellë dhe të parikuperueshme të kësaj force politike.

Ky vendim i kryedemokratit Lulzim Basha, u mor një ditë para se të fillonte punimet parlamenti./OraNews/