"Duhet të tregojë që nuk është bashkëpunëtor me kundërshtarin", Hoxha analizon sjelljen e opozitës në Kuvend
PD është rikthyer në Kuvend pas dy vitesh mungesë.Në dy seancat e para ra në sy sjellja gati radikale dhe pse simbolike, me grisje të fletëve të votimit dhe bojkot.
Analisti Artan Hoxha e ka një shpjegim për të gjithë këtë situatë.
Gjatë një interviste për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma, ai thotë se Basha dhe mbështetësit e tij në grupin parlamentar duhet të provojnë se nuk po bashkëpunojnë me Ramën.
Hoxha: Këto janë taktika që do ti shohim shpesh që do të marrin nuancën e një sjellje radikale, një vijë demarkacioni me qeverinë sepse tashmë Lulzim Basha dhe ata që e mbështesin në grupin parlamentar kanë dhe një akuzë apo dyshim pas shpine se kanë bashkëpunuar nën rrogozë kundër Sali Berishës, PD së vërtetë dhe opozitës së vërtetë. Për të treguar që kjo nuk është e vërtetë do ta teprojnë dhe me akte të tilla parlamentare si grisja e fletëve të votimit. Nga ana tjetër dorëzimi i mandateve ishte me efekt negativ, mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale ishte me efekt negativ.
Këto dy akte nuk duhet të ndodhin më dhe nuk besoj se do të ndodhin më. Pjesa tjetër është pjesë e një lloj gjestikulacioni, mënyrë shprehje dhe komunikimi me opinionin dhe mes palëve në parlament por që do të ndikohet nga ndjenja se po të akuzojnë për bashkëpunëtor me kundërshtarin dhe duhet të tregosh që nuk je me këto metoda. Është humbje energjie.Opozita duhet të jetë e qartë me qëndrime, nuk ka ka nevojë për shumë gjeste, nuk duhet bëjë ato gabime që bëri në mandatin e kaluar.
