Prokuroria e Përgjithshme i kthen përgjigje Metës: Asnjë Ministër i "Rama 3" nuk është nën hetim

Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje Presidentit në lidhje me verifikimin e 16 ministrave të rinj. Sipas përgjigjes në këtë institucion dhe në prokuroritë e rretheve nuk ka hetime apo procedime për emrat e propozuar për kabinetin qeveritar. Ndërkohë pritet që Prokuroria e Posaçme SPAK dhe SHISH ti dërgojnë Presidentit informacionin e kërkuar, ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zhvilluar një takim me kreun e Prokurorisë Speciale Arben Kraja.

Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës në lidhje me verifikimin e 16 emrave të propozuar nga Kryeministri për tu dekretuar si ministra të qeverisë së re "Rama 3".

Organi qendror i akuzës i ka shkruar Kreut të Shtetit se në Prokurorinë e Përgjithshme dhe ato të rretheve, nuk ka procedim apo hetime për emrat e ministrave të propozuar për të marrë detyrën.

Pas Prokurorisë së Përgjithshme tashmë pritet përgjigja nga SPAK dhe Shërbimi Informativ, nëse këto informacione kanë të dhëna që pengojnë dekretimin e ndonjërit prej emrave të ekzekutivit të ri.

Verifikimi nisi menjëherë pas kërkesës së dërguar nga presidenti Ilir Meta, i cili kërkon informacion për nëse janë duke hetuar emrat e propozuar për kabinetin qeveritar.

Shkresa ka vënë në lëvizje institucionet, të cilat kanë verifikuar regjistrat nëse emrat e ministrave te propozuar janë apo jo në procedim penal nga organi i akuzës.

Në kohën kur SPAK pritet ti japë Presidentit një përgjigje në lidhje me emrat ambasadorja Amerikane Yuri Kim ka zhvilluar këtë te hënë një takim me kreun e Prokurorisë Speciale, Arben Kraja.

Biseda mes tyre ka zgjatur rreth 30 minuta, por nuk është bërë e ditur për mediat tematika e trajtuar.