Vaksinë ose tampon çdo javë, Puka bashkia e parë që bën vaksinimin e detyrueshëm për administratën
Bashkia e Pukës ka vendosur vaksinimin ose tampon çdo javë si kusht për punonjësit e administratës, duke u bërë kështu institucioni i parë që forcon masat kundër përhapjes së koronavirusit. Kryebashkiaku, Gjon Gjonaj, e bëri të ditur vendimin në një mesazh drejtuar qytetarëve, ku bëri thirrje për tu vaksinuar.
Puka është bashkia e parë në Shqipëri që vendos vaksinimin ose tamponin të detyrueshëm për punonjësit e administratës.
Vendimin e bëri të ditur kryebashkiaku Gjon Gjonaj në një mesazh drejtuar qytetarëve.
"Në rast të kundërt nuk ka asnjë masë ndëshkuese përveçse secili prej tyre do t'i nënshtrohet tamponit javor. Nuk do pranohet asnjë punonjës i administratës shtetërore për të filluar javën në punë pa bërë tamponin," tha ai.
Vendimin kryebashkiaku I Pukës, e argumentoi me rritjen e infektimeve me Koronavirus dhe neglizhencën e qytetarëve në zbatimin e masave parandaluese.
"Sot jemi para një detyrimi të rrojmë apo mos rrojmë. Të rrojmë do thotë që të vaksinohemi," tha Gjonaj.
Duke theksuar se kjo është një beteje për jetën, Gjonaj u bëri thirrje qytetarëve të Pukës e më gjerë që të vaksinohen dhe të refuzojnë ato që I quajti zëra helmues kundër vaksinës.
"Janë helmues për kuptimin e konceptimit se duke u vaksinuar ne marrim edhe mbartim edhe probleme të tjera," shtoi kryebashkiaku.
Veç bashkisë së Pukës, asnjë institucion tjetër, vendor apo qendror nuk kishte vendosur vaksinimin apo tamponin si detyrim për punonjësit.
Vaksinimi i detyrueshëm deri më tani është vendosur për studentët, pedagogët dhe mësuesit.
Sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri rezultojnë mbi 12,766 persona aktive me koronavirus, ndërsa infektimet ditore mbeten të larta./OraNews/
