Gjekmarkaj krah Bashës: Përjashtimi i Berishës i vetmi shteg për të kaluar. Të tjerët heshtin
Pasditen e sotme, në orën 17:00 Kuvendi i Shqipërisë pritet të zhvillojë seancën e radhës plenare, ku pritet të ngrihen dhe komisionet e përhershme parlamentare.
Socialistët dhe demokratët tashmë i kanë bërë publikë emrat e përfaqësuesve të tyre, ndërsa nga 8 komisionet e përhershme, 3 prej tyre do të drejtohen nga opozita.
Para seancës plenare, Basha ka mbledhur kryesinë e grupit parlamentar të PD-së në selinë blu.
-Komisioni për çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, do të drejtohet nga demokratja Albana Vokshi.
-Komisioni i Medies, do të drejtohet nga Agron Gjekmarkaj.
-Komisioni i Integrimit do të drejtohet nga demokratja Jorida Tabaku.
Pas mbledhjes Enkeled Alibeaj nuk ka pranuar që t'i përgjigjet pyetjes së gazetarëve "a është apo jo i drejtë vendimi i Bashës për të përjashtuar zotin Berisha nga grupi parlamentar."
Deputeti i Lezhës, Agron Gjekmarkaj ndryshe nga Alibeaj u shpreh se "nuk është çështja ishte vendim i drejtë apo i gabuar, por nuk kishte mundësi tjetër Lulzim Basha dhe Partia Demokratike. Ishte shtegu i vetëm për të kaluar. Unë e kam thënë që Sali Berisha është personalitet i madh politik, betejat që mund të bëjë Sali Berisha për statut nuk janë beteja të kalibrit të tij, janë beteja të vogla."/OraNews/
Në seancën e sotme plenare kryeministri Edi Rama do të prezantoje qeverinë dhe programin.
