Administratori "lan duart" për rrëzimin e ashensorit në Astir: Pallati u ndërtua për muxhahedinët

Një ditë pas plagosjes së dy grave nga ashensori në zonën e Astirit në Tiranë, administratori i pallatit ka fajësuar banorët. Ai thotë se ashensori është përdorur mbi kapacitetin mbajtës për transport materialesh ndërtimi, ndërkohë që është mirëmbajtur e kontrolluar rregullisht. Nga ana tjetër Inspektoriati Shtetëror për Kontrollin thekson se ashensori në fjalë nuk është regjistruar nga administratori apo ndërtuesi i godinës dhe për rrjedhojë ka qenë i pa certifikuar.

Administratori i pallatit në Astir ka folur për Ora News në lidhje më rrëzimin e ashensorit 1 ditë më parë (12 shtator) ku mbetën të plagosur 2 gra.

Avni Martinaj u shpreh se ka filluar administrimin e pallatit në vitin 2018 dhe që nga ky vit sipas tij, kompania mirëmbajtëse çon çdo muaj teknikun për kontroll.

Zoti Martinaj mendon se shkak i rërzimit të ashensorit ka qenë mbipesha, pasi sipas tij banorët abzuojnë me përdorimin e ashënsorëve duke hipur më shumë persona se kapaciteti i lejaur dhe duke ngarkuar materiale të tjera.

"Pallati është vënë në punë në vitin 2015 për muxhahedinët, ku ka ardhur një komision evropian që ka kontrolluar. Në vitin 2018 kanë filluar shitjet, në atë kohë kam filluar edhe administrimin. I kam kërkuar kompanisë së mirëmbajtjes dhe kompanisë ndërtuese që të kontrollohen ashensorët. Fakti është që ai kontroll është bërë dhe në tetor-nëntor 2020 janë bërë të gjitha punimet e nevojshme. Nga ajo kohë dhe deri tani unë administroj atë pallat. Kompania mirëmbajtëse ka rregullat se si mirëmbahet një ashensor. Kompania e mirëmbajtjes sjell çdo muaj teknikun ku bëhet ndërrimi i muajit, dhe ata kanë një librezë që shënojnë shërbimet që i duhen ashensorit.

Kompania i është përgjigjur kërkesave tona. Ashensorët janë për transport njerëzish, jo për transport materialesh. Banorët fusin materiale ndërtimi, çimento, dhe hipin edhe mbi pesha. Ashensori ka një kapacitet 380 kg dhe vlerësohet që të mbajnë 3-4 persona. E vërteta është se nuk e dimë sa persona kanë qenë brenda. Ashensori ka rrëshqitur nga mbipesha, nuk ka rënë, por duhet të presim ekspertizën se ajo e përcakton. Kontrolli bëhet çdo datë 20 të muajit."

Avni Martinaj thotë se në vitin 2019 ashensori është kontrolluar dhe më pas i është bërë servis, duke u vendosur në funksion të plotë, ndërsa më pas është kontrolluar në mënyrë periodike.

"Fakti është që ai kontroll është bërë dhe këtu kam edhe faturë përkatëse te kompanisë SRH me administrator Dritan Shabanin. Firma ka bërë pagesën dhe nga tetori i vitit 2020 janë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme," tha Martinaj.

I pyetur nëse ashensori është vënë sërish në punë, Martinaj u shpreh se është i bllokuar për shkak se po pritete ekspertiza.

"Ashensori është i bllokuar me urdhër bllokimi nga Prokuroria për të kryer ekspertizën.  Nëse mbaron ekspertiza ashensori vihet për 10 minuta në punë."

Administratori "lan duart" për rrëzimin e ashensorit në

Por ndryshe nga administratori i pallatit, i cili është proceduar nga policia e Tiranës pas plagosjes së dy grave, kreu i Inspektoriatit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, Julian Llupo, thotë se ashensori nuk ishte regjistruar.

"Ashensori nuk është i regjistruar pranë ISHMT, pra nuk ka kryer një procedurë vlerësimi dhe nuk kemi as informacione nga trupa e autorizuar që ky ashensor ka kryer vlerësime periodike çka është një detyrim ligjor," tha ai.

Sipas Llupos, në situatën në fjalë përgjegjës për regjistrimin e ashensorit janë kompania ndërtuese dhe administratori i pallatit.

"Personat që duhet ta kishin bërë këtë gjë në fillim janë ndërtuesit dhe sipërmarrësit dhe tani kalohet në një proces i cili del si detyrim ligjor që të kryhet," tha Llupo.

Nga 10 mijë ashensorë që funksionojnë në godinat e banimit dhe të biznesit në Shqipëri, sipas ISHMT vetëm 1200 janë të regjistruar./OraNews/