Shtohen rastet e shtrimeve nga Covid, në spital edhe pacientë të vaksinuar me dy doza

Situata në vendin tonë vijon të jetë shqetësuese.

Mbi 800 persona raportohen të prekur me koronavirus pothuajse çdo ditë dhe shifrat e të shtruarve në spitale janë të larta.

Gazetarja e Ora News, Anxhela Celibashi thotë se në spital ka pacientë që i kanë bërë të dyja dozat e vaksinës, megjithatë kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Sipas burimeve nga institucionet shëndetësore ka pasur humbje jete edhe te personat që kanë kryer të dyja dozat e vaksinave.

Sipas ekspertëve kjo ndodh, sepse personat mund të kenë marrë dozën e dytë të vaksinës me vonesë, ose për shkak të sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Megjithatë një pjesë e madhe e të shtruarve janë të pa-vaksinuar.

Në spitalin infektiv sipas raportimeve të familjareve është e shtruar dhe një 30 vjeçare shtatzëne, e cila po merr trajtimin e nevojshëm.

Në 24 orët e fundit 175 persona janë të shtruar dhe po marrin shërbimin e nevojshëm  mjekësor në spitalin infektiv dhe në spitalin Covid 3. 15 nga pacientët  janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, dje nuk e kanë fituar betejën me COVID19 4 qytetarë: një qytetare nga Tirana 65 vjeçe, një qytetar nga Kolonja 65 vjeç, një qytetar nga Shkodra 78 vjeç dhe një qytetar nga Fieri 82 vjeç.