U shkëput ashensori dhe u plagosën dy gra, arrestohet tekniku i kompleksit në “Astir”, procedohet i vëllai

Një aksident i rëndë është regjistruar pak pas mesnatës në kryeqytet.

Ashensori i një pallati në Astir është shkëputur dhe për pasojë janë plagosur dy zonja.

Në lidhje me këtë rast policia e Tiranës ka bërë arrestimin e shtetasit Dëfrim Shabani 34 vjeç, banues në Tiranë.

Sipas njoftimit të bluve, arrestimi i tij u bë pasi gjatë mesnatës, dyshohet se duke qenë i punësuar si teknik i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve, në kompleksin e pallateve “Fratari”, në Astir, nuk ka konstatuar problemin teknik që ka patur ashensori i njërit prej pallateve të kompleksit, i cili është shkëputur, duke rënë në gjendje të lirë së bashku me disa shtetas që ndodheshin në të.

Në vijim të veprimeve është proceduar në gjendje të lirë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë" vëllai i tij shtetasi Dritan Shabani 37 vjeç, banues në Tiranë, administrator i firmës ku ishte i punësuar vëllai i tij shtetasi D. Sh si teknik i mirëmbajtjes dhe kontrollit të ashensorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshëm.