Monumentet Kulturore në Tiranë, Ceka: Mozaiku dhe Sarajet, dy dallëndyshet që fluturojnë mes laraskave
Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit.
Studiuesi i historisë dhe arkeologu,Neritan Ceka,në një intervistë për Ora News thotë ky monument antik është dëshmi e negativitetit dhe pozitivitetit në të cilën trajtohet trashëgimia kulturore në vendin tonë.
Ceka: Është i vetmi monument antik i Tiranës brenda, dëshmi që Tirana ka potencial arkeologjik, çështje që është neglizhuar për një kohë të gjatë, sidomos në dhjetëvjeçarët e fundit. Është një dëshmi e negativitetit dhe pozitivitetit në të cilën trajtohet trashëgimia kulturore.
Ministria e Kulturës dhe institucionet në varësi të saj kanë nisur përgatitjet për një procedurë që do të çojë drejt rinisjes së gërmimeve në zonën e Mozaikut të Tiranës.
Ceka e vlerëson maksimalisht një investim të tillë. Sipas tij ky mozaik bashkë një pjesë të sarajeve të Toptanëve që pritet të bëne Muze, janë dy dallëndyshet e para që japin shpresë për një trajtim ndryshe të trashëgimisë kulturore.
Ceka: Në këtë vend para tre muajsh filluan punimet për sistemimin e kësaj hapësire që është ruajtur mes pallateve por pa marrë mendimin e arkeologëve dhe pa respektuar as Drejtorinë Rajonale që është brenda mozaikut, me indiferencë të plotë siç po ndodhte dhe skrepat e Bashkisë ranë mbi shtresa kulturore. Atëherë bashkia u kujtua që duhet të respektojë ligjin, një ligj në mënyrë absolute nuk respektohët nga Bashkia e Tiranës. Këtu kemi bashkinë që jeton në dy sisteme si në Hong Kong, një sistem respekton ligjet, një sistem, sidomos kur është për trashëgiminë, nuk i respekton. Si rrjedhim me presionin e arkeologëve u bë projekti i cili ka filluar të zbatohet.
E gjithë kjo punë do të zhvillohet me zbulimin e plotë të monumentit. Ajo që qytetarët dhe turistët e shohin vetëm si Mozaik i Tiranës, është një vilë romake e shekujve III-IV të erës sonë.Është zbuluar vetëm pjesërisht, 2/3 janë akoma për tu zbuluar sepse pjesa qëndrore është e mbuluar nga godina ku është sot Drejtoria Rajonale dhe ajo duhet të prishet dhe të çlirohet dhe pjesa tjetër janë anekset që ka pasur vila, në mënyrë që të krijohet një ambjent i plotë që kordinon lulishten, gëzimin e banorëve që kanë një hapësirë që mungon në Tiranë në këto përmasa, me prezencën e trashëgimisë kulturore.
Besoj që nën drejtimin e profesor Skënder Muçajt, që është autor i gërmimit, bashkë me Aleksandër Meksin, të dy emra të njohur dhe profesorë, besoj që do të jetë një shembull për të filluar ndryshe trajtimin e Monumenteve të Kulturës në Tiranë. Edhe me interesin që ka shprehur kohët e fundit Bashkia për të marrë dhe bërë muze një nga sarajet e Toptanëve janë dy dallëndyshe që ndoshta fluturojnë midis laraskave të cilat kanë karakterizuar kujdesin për trashëgiminë kulturore.
