"Po i bie çatia", Ceka apelon autoritetet të shpëtojnë sarajet e Toptanëve brenda kalasë
Në ditët e trashëgimisë kulturore studiuesi i historisë dhe arkeologu Neritan Ceka shprehet se një pjesë e mirë e trashëgimisë kulturore është zhdukur e tanimë është momenti të jemi të gjithë të vendosur të mbrojmë objektet me rëndësi historike.
Një pjesë e sarajeve të Toptanëve është brenda hapësirës së Kalasë së Tiranës, mirëpo askush s’ka vënë dorë pasi ambienti përreth është i rrethuar me shkurre.
Për Ora News, Ceka thotë se është çështje muajsh që çatia e saj të bjerë në tokë ndaj kërkon masa të menjëhershme nga institucionet.
Ai shpjegon se pengesë për këtë janë bërë pronarët, por si zgjidhje ai sugjeron që shteti t'ua blejë sarajet pronarëve, siç ka bërë me sarajet e tjera, për ta shpëtuar.
Ceka: Do të ishte një muze etnografik ose arkeologjik i mrekullueshëm dhe për Tiranën dhe që patjetër duhet marrë në kontroll nga shteti. Ka shumë pronarë që nuk bien dakord për zgjidhje. Natyrisht nuk mund të bëhen ndryshime dhe kjo i ka penguar. Zgjidhja e vetme ashtu si për sarajet e tjera është që shteti t'ua blejë pronarëve në bazë të ligjit dhe ta shpëtojë, ndryshe për pak… janë muaj, po bie çatia, po shkatërrohet një vlerë e jashtëzakonshme dhe është pjesë e një kompleksi të madh.
Nëse ne shpëtojmë këtë godinë bashkë me toptanasit e vegjël, bashkë me Sahatin siç ka mbetur, por dhe me lagjen që shtrihet që këtu deri te Pazari i ri, natyrisht që shpëtohet një pjesë e Tiranës ku inkludohet Akademia e Shkencave,q ë ka qenë selia e qeverisë e viteve '20-të dhe Pallati i parë Mbretëror dhe Pallati Mbretëror që kemi pas mureve që është i një shkolle të madhe europiane të arkitekturës.
Përpjekja e Bashkisë për të marrë njërin nga sarajet Toptanëve ndërsa tjetri është në braktisje të plotë, nuk mund të merret vetëm vëllai i vogël duhet të merret dhe vëllai i madh. Këto janë mesazhet që u bëj intelektualëve shqiptarë se t'ia bësh poltikës besoj se është kohë e humbur.
