Berisha: PD nuk është OJF, Basha do e shohë. Ka udhëtime të anuluara në SHBA
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaron se përjashtimi i tij nga grupi parlamentar i PD-së është bërë për interesa personale të Bashës.
Madje shkon më tej
“Gjithçka ka bërë e ka bërë në funksion të interesit të tij personal. Basha kishte një interes personal. Ka disa vite që nuk shkon në SHBA" tha Berisha në emisionin Zonë e Lirë në RTV Klan, raporton Ora News.
Po nënkuptoni që dhe ai është në listën e zezë?
"Nuk e thashë këtë, por ka disa vite që nuk shkon. Ka udhëtime të anuluara” tha Berisha. Një detaj i tillë u zbulua pak muaj më parë edhe nga Edit Harxhi.
Berisha tregon dhe për një takim që ka pasur me Bashën 3 ditë më parë.
“Ai me mua bëri një bisedë tre ditë përpara ku më tha: si do ia bëjmë se na del problem i ligjit të dekriminalizimit.”
Berisha thotë se pazari i Bashës me Ramën është bërë në këtë fushatë elektorale. Madje shton se pas humbjes nuk do të kishte të njëjtin qëndrim ndaj Bashës.
"Ai bëri një pazar me Edi Ramën, të cilin ia ofroi gjatë fushatës elektorale: Largo Berishën se merremi vesh bashkë e u përdor kjo për të arritur ujdinë njëri me tjetrin.
Unë nuk do të isha më ai që kam qenë ndaj tij për shkak të humbjes së dytë. Ai e di këtë. Njeri që humbi dy herë zgjedhjet nuk ka asnjë të drejtë morale të qëndrojë në krye të partisë. Unë do bëj çdo gjë që anëtarët e PD-së të thonë fjalën e tyre e të jeni të sigurtë që do e bëj. Në takime të hapura në të gjithë Shqipërinë, gjer të shprehen me referendum. PD nuk është OJF"