Tymi kancerogjen mbulon Lushnjen, arrestohet roja i Bashkisë që dogji mbetjet
Për të dytën ditë radhazi, qyteti i Lushnjes është i mbuluar nga tymi i zi që çlirohet nga djegia e fushës së mbetjeve. Ndërkohë roja i vendepozitimit, 42-vjeçari Mondi Shehu është arrestuar si autor i zjarrvënies së qëllimshme. Kryetarja e Bashkisë së Lushnjes thotë se Bashkia nuk kishte një zgjidhje tjetër veç mbulimin e zjarrit me dhe.
Kjo ishte pamja e Lushnjes këtë të premte në ditën e dytë të emergjencës mjedisore.
Tymi i zi ka ka mbuluar qytetin, ndërsa fusha e mbetjeve urbane vijon të digjet për të dytën ditë radhazi.
Zjarri mbetet jashtë kontrollit, pasi ndërhyrja e forcave zjarrfikëse të Lushnjes e Divjakës nuk ka dhënë rezultat.
Situata është kritike, veçanërisht në lagjen "18 Tetori" që shtrihet pranë vendgrumbullimit të mbetjeve urbane.

Banorët atje thonë se nuk po hapin dot dritaret pasi shtëpitë u mbushen me tym e gazrat që çlirohen nga djegia e mbetjeve.
"Gjithë ky tym që shkon në mushkëritë e njerëzve është koronë. Nuk ka nevojë për sëmundje të tjera, ja ku është sëmundja. Nuk guxojmë të hapim dritaret, të pijmë një kafe në ballkonet tona. Nuk dimë kur do të përfundojë kjo gjendje."
"Shteti të na heqë plehrat."
"Ne ruhemi nga virusi, virusin e kemi te dera. Nuk duron më frymëmarrja jonë."
Të gjendur në këto kushte, Bashkia ka vënë në zbatim të vetmin plan për të ndalur zjarrin, atë të groposjes së mbetjeve.

Kryetarja e Bashksië së Lushnjes, Eriselda Sefa, tha se në ditët në vijim do të lidhet një kontratë me inceneratorin e Fierit, pa dhënë shumë detaje të të kontratës.
"Janë marrë masat dhe vendosur në gatishmëri mjetet për mbylljen e fushës së mbetjeve pasi është e vetmja mundësi për të eleminuar zjarrin."

Autori i zjarrvënies në fushën e mbetjeve dyshohet se është pikërisht njeriu që Bashkia e Lushnjes paguante si roje, i cili tashmë është vënë në pranga ga policia.
42-vjeçari, Mondi Shehu, akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndotje të ajrit.



