Kosova nuk do t'i lehtësojë masat anticovid edhe pas 13 shtatorit, qeveria: Situata është e brishtë
Kosova ka shpresë se situata epidemiologjike e rënduar ka për t'u qetësuar, por masat kufizuese nuk do të lehtësohen as pas 13 shtatorit.
Kryeministri Albin Kurti e nisi të mërkurën mbledhjen e qeverisë duke kujtuar mbi 400 viktimat e Covid-19 vetëm në tri javët e fundit.
“Më lejoni që fillimisht t’i shpreh ngushëllime familjarëve që kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi COVID-19. Më datën 8 gusht kishim asnjë të vdekur në Kosovë, por tri javët e fundit janë më të rënda për popullin e Kosovës dhe më të vështira për institucionet e shtetit tonë... I bëj thirrje të gjithë atyre që nuk janë vaksinuar të vaksinohet dhe caktojnë terminë sepse vaksina ka mjaftueshëm dhe çdo ditë po pranojmë doza të reja," tha Kurti.
Varianti Delta i koronavirusit është bërë shkak për gjendjen e brishtë në Kosovë. Janë mbi 25 mijë qytetarë të diagnostikuar si bartës të Covid.
Në Klinikën e Neonatologjisë ka të shtruar edhe gra shtatzëna e foshnja, madje rëndë për jetën.
“Gjatë periudhës së vitit 2021 kemi pasur 6 foshnje të cilat kanë rezultuar COVID-19 pozitiv, të gjitha janë liruar në gjendje të mirë përveç 1 e cila ka qenë në gjendje të rëndë dhe ka ndërruar jetë," tha pediatria Ismaili.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, paralajmëroi ditën nevojën për vaksinimin me dozën e tretë kundër Covid-19
Pediatrja Hajrije Ismajli inkurajon vaksinimin edhe të nënave që u japin gji foshnjave.
“Rekomandimet janë që foshnjat të ushqehen nga nënat COVID-19 me masa të shtuara me mbajtje të maskës me higjienë madje edhe në po të njëjtën dhomë mund të qëndroj foshnja së bashku me nënën,” tha ajo.
Teksa vijojnë humbjet e përditshme të jetëve me bilance dyshifore, opozita në Kosovë ka kritikuar qeverinë për menaxhimin e dobët të epidemisë.
Mbi 1,100 të sëmurë me Covid-19 në vend po trajtohen me oksigjeno-terapi dhe kujdes intensiv./OraNews/
