Maqedonia e Veriut feston 30-vjetorin e pavarësisë

Maqedonia e Veriut kremtoi të mërkurën 30-vjetorin e pavarësisë.

Presidenti Stevo Pendarovski, kryeministri Zoran Zaev dhe zyrtarë shteti bënë paradite homazhet te presidenti i parë, Kiro Gligorov, dhe te presidenti i ndjerë, Boris Trajkovski.

“Ne nuk e harrojmë angazhimin e Gligorovit për paqen dhe stabilitetin. Trajkovski do të mbahet mend si udhëheqës vizionar,” shkroi Pendarovski në profilin e tij në Facebook.

"Të dashur maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë, vllehë, boshnjakë. Të dashur bullgarë, kroatë, malazezë dhe të gjithë të tjerët, pavarësia dhe shteti ynë qoftë i përjetshëm," shtoi me mesazhin e tij kryeministri Zaev.

Mbi 95 për qind e popullit maqedonas u shprehën për ndarjen nga ish-federata jugosllave në referendumin e 8 shtatorit 1991 dhe një muaj më vonë votuan edhe kushtetutën.

30 vite më vonë, vendi është përballur me vështirësi të shumta ekonomike, me konflikte ndëretnike dhe tani e ka të hapur perspektivën euroatlantike pas firmosjes së Marrëveshjes së Prespës për emrin me Greqinë fqinje.

"Bashkë investuam në stabilitet e paqe, dhe po promovojmë zhvillimin e rritjen e qëndrueshme, krahas këmbënguljes së Greqisë që Ballkani Perëndimor të jetë i integruar plotësisht në familjen e Bashkimit Europian," uroi ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias.

Me rastin e përvjetorit jubile, urimet i përcolli edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

"Komuniteti maqedonas në Shqipëri dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët kanë qenë gjithmonë mbështetës të shtet-formimit dhe të integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në BE, janë ura të shëndosha miqësie dhe vlera të patjetërsueshme që duhen ruajtur, mbështetur e promovuar me të gjitha energjitë tona pozitive," uroi presidenti Meta.

Festimet në Shkup vijuan pasdite me paradën e pavarësisë dhe manifestimin shtetëror përpara Kuvendit, me pjesëmarrjen e krerëve të lartë të shtetit dhe trupës diplomatike.