Bashkia Cerrik përfundon në KPP, institucioni i drejtuar nga Andis Salla akuzohet për kritere diskriminuese
Kriteret e konsideruara diskriminuese kanë çuar në dyert e Komisionit të Prokurimit Publik një tender të hapur nga Bashkia e Cerrikut. Sipas dokumentave, ky institucion është akuzuar nga një prej kompanive se kriteret nuk i shërbejnë për qëllimin e kontratës por sjellin një kufizim jo të drejtë të konkurrencës.
Kriteret e vendosura nga Bashkia e Cerrikut për një tender janë konsideruar të padrejta dhe diskriminuese nga një prej kompanive që ka shafqur interes për pjesëmarrje në garë.
Sipas dokumentave tenderi bën fjalë për ‘Përmirësimin e banesave ekzistuese për komunitetet e varfra dhe të pafavorizuara’ me fond limit 23.4 milionë lekë.
Bashkia e drejtuar nga Andis Salla është akuzuar nga kompania Bajrami N shpk në Komisionin e Prokurimit Publik, se ka vendosur kritere që nuk i shërbejnë qëllimit të kontratës por diskriminojnë pjesëmarrjen në garë.
Subjekti në fjalë evidenton se është kërkuar një inxhinier gjeomatik që duhet të jetë i përfshirë në licencën e shoqërisë së ndërtimit me kontratë pune, por sipas ankimuesit në projekt nuk është parashikuar asnjë punim që e ka të nevojshëm një specialist të tillë.
Një tjetër kërkesë e çuditshme sipas kompanisë Bajrami N shpk është edhe fakti se Bashkia e Cerrikut nuk ka kërkuar licencë për punimet Topogjeodozike por nga ana tjetër kërkon që operatori që do sigurojë kontratën të ketë një inxhinier topograf.
Ndërkohë që kriterin për të pasur një fabrikë prodhimi të dyerve, dritareve dhe duraluminit e konsideron si një kërkesë që shkel ligjin e prokurimit publik dhe që diskriminon pjesëmarrësit në garë.
Ankimuesi thkeson se kriteret e kërkuara vështirësojnë përgatitjen e dokumentacionit nga operatorët ekonomikë pasi rrisin kostot dhe nuk kanë si qëllim përzgjedhjen e kompanisë më të kualifikuar por sjellin kufizim jo të drejt të konkurrencës.
Do të jetë KPP që do të vendosë se kujt do i japë të drejtë në lidhje me procedurën në fjalë.

