Trazirat në Mal të Zi, frikë në Prishtinë e Podgoricë nga krijimi i "botës serbe" në Ballkan
Studiuesit i shohin me shqetësimin zhvillimet e fundit me Kishën Ortodokse Serbe në Mal të Zi pasi destabiliteti atje mund të jetë edhe plan i fshehtë për ta shtrirë situatën në Kosovë e në gjithë Ballkanin për interesat serbo-ruse.
Trazirat në Mal të Zi prej zgjedhjes së mitropolitit Joanikije në krye të Kishës Ortodokse Serbe mund të ndikojnë në destabilizimin e Ballkanit dhe të prekë më së pari Kosovën fqinje.
Ceremonia e së dielës provokoi edhe Prishtinën kur përkrah saj një grup priftërinjsh dolën me këngë e thirrje për rikthimin e ushtrisë serbe.
Arben Hajrullahu, profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, mendon se Kisha Ortodokse Serbe përdoret vazhdimisht për nxitur konflikte në rajon, edhe për interes të Rusisë.
Idenë e ndan edhe Gynen Venhari, drejtues i organizatës "GeoPost" që studion influencat nga jashtë në Ballkanin Perëndimor.
Hajrullahu: Rusia luan një rol shumë destruktiv dhe me investime minimale është duke arritur që të krijojë destabilizim maksimal. Kjo vërehet në Mal të Zi tash, por edhe më herët në Maqedoni, Kosovë, Bosnje etj., si mashë në krijimin e këtij destabiliteti dhe çorientimi të rajonit në rrugën e integrimeve euroatlantike e përdorë Serbinë, e cila është edhe aleate edhe vetë-viktimë e vullnetshme e interesave ruse në rajon... Mali i Zi, me faktin e të qenit anëtar i NATO-s, është më i sigurt dhe çështja është nëse ka këso lloj veprimesh në rajon, atëherë edhe Mali i Zi, po edhe Kosova dhe krejt rajoni mund të rrezikohen dhe mund të ketë destabilitet më të madh, të panevojshëm, kontra-produktiv sa i përket perspektivës evropiane të rajonit.
Venhari: Problemet e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi kanë filluar para dy vjetëve, me tentimin për formimin e Kishës Autoqefale malazeze dhe aty kanë filluar problemet. Fatkeqësia më e madhe është që kisha dhe klerikët duhet t’i shërbejnë Zotit, ata po i shërbejnë dexhallit dhe politikave të ndryshme, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Ballkanit... Forcat inteligjente ruse në bashkëpunim me Kishën Ortodokse kërkojnë destabilizimin e Malit të Zi, jo vetëm tash, por qe një kohë të gjatë... Jo vetëm Mali i Zi, por i gjithë rajoni është i rrezikuar nga ky ndikim... Probleme shfaqen edhe në shtetet të tjera dhe Kosova nuk është që mund t’iu ikë këtyre problemeve, andaj duhet të jemi mjaft të kujdesshëm sa i përket këtyre problemeve që e rrethojnë regjionin.
Hajrullahu thotë se siguria kombëtare e Kosovës do të jetë e rrezikuar për sa kohë mbahet larg aleancës ushtarake të NATO-s dhe nuk konsolidohet ushtarakisht e diplomatikisht.
Hajrullahu: Kosova është e rrezikuar vazhdimisht, në rend të parë prej retorikës apo agresionit serb, i cili është një lloj zëdhënësi i politikave dhe interesave ruse, dhe vet fakti kur i dëgjojmë ato këngë në Mal të Zi, me sloganin ‘kur një ditë të kthehet ushtria në Kosovë’, këto na kujtojnë një qasje të ngjashme ose të njëjtë me të talibanëve. Pra, në këtë rast, politika serbe është në të njëjtën vijë dhe me të njëjtën mendësi sikurse e talibanëve, që një ditë shpresojnë që do të krijohen mundësitë që një ditë të kthehen ushtarakisht në Kosovë... Kosova duhet ta ketë prioritet çështjen e sigurisë kombëtare, e cila do të garantohej më së miri përmes anëtarësimit në NATO. Në qoftë se anëtarësimi në NATO nuk do të jetë i mundur, atëherë Kosova duhet që sa më parë të punojë drejt realizimit të akteve të mbrojtjes në krye me SHBA-në.
Ngjarjet në Cetinje u dënuan nga qeveria malazeze dhe Bashkimi Europian ndërhyri duke kërkuar qetësi në vend.
Opozita e udhëhequr nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq e panë shugurimin e mitropolitit Joanikije si simbol pushtimi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën "botën serbe", siç e shprehu të hënën edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një intervistë televizive.

