Kurti dhe Blinken diskutojnë për strehimin e afganëve: Alenca jonë me SHBA-në është e palëkundur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken lidhur me ndihmën që Kosova ka ofruar në strehimin e afganëve të cilët janë evakuuar nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e vendit.

“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, tha Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Ai shtoi se Sekretari Blinken i ka shprehur Kosovës mirënjohjen në emër të presidentit amerikan, Joe Biden për bashkëpunimin dhe ndihmën.

Sekretari Blinken shkroi në Twitter se falenderoi qeverinë dhe qytetarët e Kosovës të cilën demonstruar gatishmërinë për të ndihmuar afganët në rrezik.  

"Gjatë telefonatës time me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e falenderova qeverinë dhe popullin e Kosovës për pritjen e afganëve në rrezik.

Qytetarët e Kosovës, shumë prej të cilëve kanë qenë vetë refugjatë, përsëri kanë demonstruar gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre për të kontribuar në paqen dhe sigurinë globale," shkroi Blinken në Twitter.

Më 2 shtator edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris./OraNews/