Maqedonia e Veriut nis censusin

Maqedonia e Veriut do të ketë një pasqyrë më të qartë të popullsisë, përmasat e minoriteteve dhe të dhënat socio-ekonomike për vendin.

Të dielën, mbi 5 mijë regjistrues në 50 rajone maqedonase nisën procesin e regjistrimit të banorëve dhe banesave.

Censusi do të zgjatë deri më 30 shtator kur edhe diaspora do duhet t'u përgjigjet nga interneti rreth 60 pyetjeve që mbulojnë temat si gjinia, mosha, arsimimi, struktura ekonomike, numri i pronave në zotërim dhe kushtet e tyre të jetesës.

Zv.drejtori i Entit Shtetëror për Statistika tha se në terren nuk pati probleme në orët e para, as episode të bojkotit nga qytetarët siç është bërë thirrje nga disa grupe edhe në opozitë.

"Pas 20 viteve, shteti ynë do të ketë të dhëna të cilat më tutje do të jenë bazë për krijimin e politikave reale për nevojat e qytetarëve," shkroi në Facebook kryeministri Zoran Zaev.

"Regjistrimi është obligim për shtetet anëtare në Kombet e Bashkuara, por ndoshta më e rëndësishmja, është obligim që ia kemi shtetit dhe para se gjithash, qytetarëve," shtoi me një mesazh ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq.

Censusi i fundit në Maqedoninë e Veriut u mbajt në vitin 2002 dhe megjithëse do duhej të përsëritej, në vitin 2011 nuk u realizua.

Edhe sivjet, procesi ishte parashikuar të niste në prill por situata me pandeminë e shtyu nismën, sa VMRO-DPMNE-ja propozoi që të kryhej në mënyrë elektronike për të evituar infektimet.

Në kushte epidemie, regjistruesit janë të pajisur me maska dhe dezinfektues duarsh, dhe si fillim tentojnë ta realizojnë censusin në ambiente të hapura përpara se të hyjnë në banesa ku banorëve u kërkohet maska, të hapin dritaret e dhomës dhe të mbajnë 2 metra distancë.

Sipas regjistrimit të vitit 2002, Maqedonia e Veriut ka rreth dy milionë banorë, nga të cilat afro gjysmë milion apo 25 për qind janë shqiptarë.

Opozita maqedonase e konteston numrin, pasi kjo do u njihte shqiptarëve të drejta të tjera, përfaqësimin në institucione dhe përdorimin e gjuhës, simboleve kombëtare e kulturore.