Fluks nga Bangladeshi, gjykata burgos një nga të arrestuarit për trafikun, 4 lirohen

Vendimi i qeverisë shqiptare për lehtësimin e punësimit në Shqipëri ka nxitur fluksin e klandestinëve nga Bangladeshi që duan të shfrytëzojnë vendin tonë për tranzit me qëllim kalimin në vendet e BE. Ky fakt u evidentua në seancën gjyqësore për caktimin e masave të sigurisë ndaj pesë personave të arrestuar dy ditë më pare në Tiranë, të dyshuar si pjesë e trafikut të emigrantëve të huaj.

Gjykata e Tiranës caktoi masën "arrest me burg" vetëm për një  nga pesë personat e arrestuar të shtunën si pjesë e një rrjeti trafiku të qënieve njerezore.

Katër të akuzuarit e tjerë u lanë në “arrest shtëpie” ndërkohë që masa e arrestit me burg ndaj Rigers Vejsiut u argumentua me faktin se rezultonte i dënuar edhe më parë për këtë vepër.

Dy motrat, Drita Shehu, 55 vjeçe dhe Sanije Shehi 64 vjeçe, janë pronare të hosteleve në zonën e Laprakës ku strehoheshin emigrantët ndërkohë që Sterjo Gërmenji dhe Anamaria Mihallari dyshohen se kanë bërë transportin e tyre në Tiranë.

Sipas akuzës të pandehurit në bashkëpunim me njeri-tjetërin kishin krijuar një rrjet trafiku që sillnin emigrantë sirianë egjiptianë po edhe nga Bangladeshi, që e përdornin ardhjen ne Shqipëri si tranzit për të kaluar në vendet e BE-së.

Prokurori tha se kjo dukuri është shtuar më shume pas një VKM-je të Këshillit të Ministrave që ka lehtesuar procedurat per shtetasit nga Bangladeshi për të qëndruar dhe për tu punësur në Shqipëri.

Fluks nga Bangladeshi, gjykata burgos një nga të arrestuarit
Të arrestuarit në gjykatë

Kjo situatë mesa duket është shfrytëzuar nga trafikantët shqiptarë për të rritur fluksin e klandestinëve nga Bangladeshi drejt vendit tonë.

Sipas prokurorisë shtetasit nga ky vend të cilët vijnë në Shqipëri nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë të ligjshëm nëse qëndrpjnë në vendin tonë, por destinacioni i tyre është kalimi illegal në vende e BE-së.

Vetë të arrestuarit nuk i kanë pranuar akuzat ndërkohë që me anë të avokatëve kanë pretenduar se nuk kanë lidhje me trafikun e klandestinëve apo dhenien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.