"E ka votuar populli", Luljeta Bozo, e para socialiste pro Berishës në parlament: Se pengon dot askush!
Sali Berishën jashtë Kuvendit të ri të Shqipërisë mund ta mbajë vetëm vetja e tij dhe askush tjetër.
Ky është mendimi i Luljeta Bozos, deputetes më të vjetër të Parlamentit, e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit nën siglën e PS.
Duke komentuar vendimin e DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha, ajo tha për ‘Euronews Albania’ se vendimi mund të jetë bazuar mbi arsye të forta por nga ana tjetër Berisha është votuar nga populli.
Pyetja: Po si e shikon Bozo kërkesën e artikuluar tashmë të ndërkombëtarëve për largim nga parlamenti të Sali Berishës?
Bozo: SHBA-të që kanë marrë atë vendim kanë pasur arsye shumë të forta, nuk e diskutoj fare, aq më tepër për një person që ka drejtuar për aq vite. Nëse hyn apo jo në parlament kjo varet nga dëshira e personit vet. Atë e ka votuar populli, ndaj nuk ka asnjë që ta pengojë të hyjë në parlament. Atë e pengon vetëm vetja e tij nëse e vendos vetë, por nuk e pengon dot njeri.
Parlamenti i ri mblidhet më 10 shtator.Në maj të këtij viti, DASH i ndaloi hyrjen në territorin e Shteteve të Bashkuara, ish kryeministrit dhe ish presidentit të vendit Sali Berisha dhe familjes së tij.
Departamenti i Shtetit e përfshiu atë në kategorinë e “zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë”.
Ambasadorja amerikane deklaroi pak javë më parë, pas një takimi me zotin Basha se “do të ishte një ironi historike por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia do të hante bar për hir të interesave personale të një njeriu".
Berisha e ka konsideruar si “të pabazuar në fakte” vendimin e Departamentit të Shtetit dhe ka angazhuar një avokat të njohur në Paris, duke ngritur padi "për shpifje" ndaj Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken. Ai ka deklaruar se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga mandati i tij si deputet, dhe këtë e përsëriti dhe pas deklaratës së ambasadores amerikane në selinë e Partisë Demokratike.
Nga ana e tij, perveç një komenti të parë në momentin e publikimit të vendimit të Departamentit amerikan, ku shprehej i keqardhur, zoti Basha ka evituar të prononcohet për këtë çështje, edhe pas komenteve të ambasadores amerikane. Por sipas zotit Berisha “kryetari i Partisë Demokratike, i është përgjigjur kërkesës së zonjës Kim, me kërkesën e tij: Paraqitni, fakte, dokumenta e prova. Kjo është përgjigja që ka marrë zonja Kim nga kryetari i PD. Dhe unë për këtë e falenderoj dhe e përgëzoj”.

