"Lumë" klandestinësh dhe në Gjirokastër, pranga 2 trafikantëve që po transportonin 21 emigrantë drejt Tiranës

Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit në Gjirokastër.

Në pranga kanë rënë dy shtetas  që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, përkatësisht Senet Goxhaj 31 vjeç, banues në Gjirokastër dhe Edmir Balla, 44 vjeç, banues në Tepelenë.

"Si rezultat i shkëmbimit të informacionit, bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve mes DVKM Gjirokastër, FRONTEX-it dhe DVP Gjirokastër, vihen në pranga dy shtetas, që u kapën duke transportuar emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit. Sekuestrohen dy automjete dhe dy aparat celular. Nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve në DVP Gjirokastër dhe shërbimet e FRONTEX-it, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative u arrestuan në flagrancë shtetasit Senet Goxhaj,31 vjeç, banues në Gjirokastër dhe Edmir Balla, 44 vjeç, banues në Tepelenë" njoftoi policia.

Dy të arrestuarit u kapën në aksin rrugor Pogon-Zagorie, duke transportuar me automjetet tip "Suzuki" dhe "Mitsubishi"(me karroceri), 21 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjet dhe dy aparat celular.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.