“Lumë’ klandestinësh nga Greqia, kapen 134 emigrantë dhe 4 transportues, mes tyre një Gardist
134 emigrantë të paligjshëm u kapën përgjatë të dielës dhe të hënës në Korçë dhe Gjirokastër, në tentative për të kaluar tranzit përmes Shqipërisë drejt vendeve të BE. Në pranga përfunduan 4 persona që i transportonin me pagesë, mes të cilëve edhe një punonjës i Gardës së Republikës. Një person i pestë i shpëtoi arrestimit.
Nuk ka të ndalur fluksi i emigrantëve të paligjshëm që futen në Shqipëri nga kufijtë jugore e juglindorë me Greqinë dhe synojnë të kalojnë në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të BE.
113 klandestinë janë kapur në qarkun e Korçës të dielën dhe të hënën.
Për tentativat e trafikut në pranga kanë përfunduar tre persona ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim.
Mes të arrestuarve rezulton edhe një punonjës i Gardës së Republikës.
50-vjeçari, Dritan Kurra, u kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm në një makinë bashkë me Artur Markogjikën, 59 vjeç, banues në Durrës.
Ndërkohë një 35-vjeçar është shpallur në kërkim për tentativën për të transportuar drejt Tiranës, kundrejt pagesës, 40 klandestinët e kapur mbrëmjen e së dielës në aksin Korçë-Ersekë.
Kur efektivët e policisë i bënë thirrje të ndalonte, ai arriti të largohet duke braktisur në rrugë furgonin brenda të cilit ndodheshin emigrantët e paligjshëm.
Më herët gjatë së dielës, 40-vjeçari nga Gjirokastra, Edlir Koko, u ndalua në Pogradec duke transportuar në një furgon 68 emigrantë të paligjshëm.
Një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit u godit nga policia dhe Frontex edhe në Gjirokastër.
Senet Goxhaj 31 vjeç, dhe Edmir Balla, 44 vjeç, u kapën duke transportuar 21 emigrantë të paligjshëm nga vendet e treta, në drejtim të Tiranës.
Që, kur Shqipëria u përfshi në rrugën e klandestinëve drejt vendeve të BE, fluksi i emigrantëve mbetet i lartë, ndërsa ka aktivizuar veprimtarinë e paligjshme të ndihmës për kalimin e kufijve kundrejt pagesës.
