Shqipëria “mbyll” kufijtë, radhë të gjata në kufi me Kosovën, refuzime në Qafë Thanë
Të gjitha pikat kufitare në hyrje të Shqipërisë kanë nisur nga mëngjesi i të hënës zbatimin e masave të reja anti-Covid të vendosura nga Komiteti Teknik për testin negativ ose vërtetimin e vaksinimit. Masat e reja sollën të hënën një kaos e revoltë në pikat kufitare nga Morina në Qafë-Thanë e Kapshticë. Qytetarët shprehen se nuk i përballojnë çmimet e testeve ndërsa nga masat e reja po penalizohen edhe fëmijët.
Pikat doganore në hyrje të Shqipërisë kanë filluar aplikimin e masave të reja anti-Covid që prej orëve të para të së hënës.
Të gjithë shtetasit që duan të hyjnë në Shqipëri duhet të plotësojnë një nga kushtet e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
Pasaporta e vaksinimit, testi PCR negativ brenda 72 orësh, testi i shpejtë brenda 48 orëve, ose prova e kalimit të virusit në 6 muajt e fundit janë kushtet e vendosura nga autoritetet shqiptare.
Por, rregullat e reja kanë sjellë kaos në pikat doganore.
Shqiptarët e Kosovës që kanë zgjedhur bregdetin tonë për të pushuar këtë fillim shtatori, thanë se nuk ishin njoftuar për masat e reja.
"E pakuptueshme, masat janë marrë dje, ne përpara i kemi përgatitur biletat dhe nuk na kanë njoftuar.Nuk kanë njoftuar asnjë agjenci".
Ata pohuan se edhe pse kanë kryer një dozë të vaksinës, në Morinë nuk i kanë lejuar të kalojnë.
"Kam marrë vetëm një dozë vaksine dhe nuk po lejojnë."
E njëjta situatë u krijua edhe në Qafë-Thanë, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk i kanë pritur mirë masat, veçanërisht tek të miturit.
"Ne duam të kalojmë ca ditë pushimi në bregdetin shqiptar por papritur u bllokuam në hyrje të Qafë Thanës me pretekstin se edhe fëmijët 6-11 vjeç që i kemi ne duhet të kenë test PCR. Ky nuk është standard që aplikohet në ndonjë vend europian por ja që shteti amë i joni na bën një shantazh të tillë, na vjedh në mes të rrugës ditën për diell.
Në Maqedoni nuk patëm asnjë problem, as që na rekomandoi dikush diçka në kufi.Do bëjmë një konsultë familjarë, me gjasë që do të kthehemi prapa. Nuk di kush është kjo kompani fantazmë, çfarë testi aplikon mbi fëmijët, ka mundësi që të kthehemi pas. Unë jam me profesion mjek.Jam shumë i zhgënjyer".
"Kur erdha në kufi më thanë se duhet test per fëmijën 6 vjeçar por kjo nuk është në rregull."
Por krejt ndryshe po veprohet në portin e Durrësit.
Fëmijët nën 6 vjeç janë të përjashtuar nga të gjitha masat, ndërsa personat që nuk plotësojnë asnjë kusht do të vetëkarantinohen.
Ndërkohë në Muriqan, pikën kufitare me Malin e Zi, u krijuan radhë të gjata paraditen e së hënës, ndërsa qytetarët që nuk plotësonin kushtet u kthyen pas.
Masat anti-Covid kanë nisur duke u aplikuar edhe në portin e Vlorës, dhe në aeroporte.
Rregullat e reja
Duke filluar nga data 6 Shtator, qytetarët të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha pikat kufitare duhet të plotësojnë një nga këto tre kushte:
Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë.
Të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve.
Të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.
Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave
Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentat e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit.
Në ndërtesën e aeroporteve do të lejohen të hyjnë vetëm pasagjerët që udhëtojnë, duke shmangur shoqërimin nga familjarë të tyre. Këta pasagjerë duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskës, ashtu siç është rekomanduar dhe siç po reflektohet ky ndryshim edhe në protokollin e funksionimit normal të aeroporteve.

