Ceka për Sahatin e Tiranës: Me dy monstra ngjitur, godina madhështore është shndërruar në xhuxh
Një tjetër monument i kategorisë se parë është Sahati, një nga simbolet e Tiranës.
Këtë herë kulla nuk po shembet ashtu si stadiumi “Qemal Stafa”, si Teatri apo dhe një pjesë e godinës së maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” , por po shndërrohet në një kullë në miniaturë.
Ai do të jetë nën hijen e kullave shumëkatëshe dhe kësisoj do të humbasë hijeshinë e tij.
Profesor, Neritan Ceka, në një intervistë për Ora News teksa u referohet kullave si dy monstra ngjitur me Sahatin, thotë se janë jo vetëm në shkelje të ligjit por edhe perspektivës arkitektonike.
Ceka: Është pjesë e logos së bashkisë, është komshi me bashkinë dhe është armik i bashkisë sepse i kanë vënë dy monstra kaq ngjitur që jo vetëm ligji nuk i lejon por besoj se edhe perspektiva arkitektonike që duhet të respektojë çdo arkitekt kur ngre një godinë, duhet të ketë distancën nga Monumenti i Kulturës në mënyrë absolute.
Sepse menjëherë Sahati që ka qenë një godinë madhështore zhduket, zvogëlohet, bëhet një xhuxh por edhe nuk konceptohet.Bashkë me xhaminë ka një shkëputje, duket qartë, përveç asaj që është një mungesë e respektit për atë që ka qenë Tirana. Janë dy godina bashkë me xhaminë, të një kualiteti të jashtëzakonshëm për kohën, ndërtesa solide por edhe që përfaqësojnë një arkitekturë të veçantë të Shqipërisë në fund të mesjetës.
Pikërisht këto ndërtesa shumëkatëshe thonë qytetarët po zhdukin një pjesë të bukurisë së këtij Monumenti.
"Simboli më i bukur që orientoheshin njerëzit ka qenë Sahati në qendër, është abuzuar me ndërtimet rreth e qark Sahatit."
"Kjo është Shqipëria, çfarë do të bëjmë!"
