Komuna e Parisit pa ujë, ujësjellës-Kanalizime Tiranë pranon defektin, por pa afat zgjidhjeje

Zona e komunës së Parisit në Tiranë ka probleme me furnizimin me ujë të pijshëm. Në disa blloqe pallatesh ky shqetësim vijon prej dy ditësh, ndërsa tek të tjerë prej 6 ditësh nuk rrjedh ujë në çezmat e tyre. Banorët e zonës shprehen se kanë kontaktuar me institucionin e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë dhe defekti është pranuar, por pa një afat konkret për zgjidhjen e saj. Ndërkohë, ka dhe denoncime për faturim të ujit edhe kur banorët nuk kanë pasur furnizim të tillë.

Familja e Astrit Hoxhës, banues në zonën e Komunës së Parisit na hapi dyert e shtëpisë së tij, pasi prej 6 ditësh kanë mungesë të furnizimit me ujë të pijshëm. Ora shënon 11.47 dhe siç mund ta shikoni në rubinet nuk rrjedh ujë.

Për Vjollcën, të zonjën e shtëpisë, mungesa e ujit ia ka vështirësuar jetesën, pasi siç shprehet dhe ajo vetë: “Pa ujë s’mund të bëhet asgjë”

“Të na ndihmojnë për ujin se nuk kemi nevojë.”

Me librezën e ujit në dorë, Astriti shpreh shqetësimin se është faturuar nga ndërmarrja e ujësjellës kanalizimeve edhe në rastet kur nuk ka pasur ujë.

“Kur pashë letrën 80 mijë lekë pa pasur ujë fare.”

Edhe në disa blloqe të tjera pallatesh në Komunën e Parisit kanë pasur probleme me furnizimin e ujë. Situata vijon prej dy ditësh.

“Po kemi pasur 2 ditë pa ujë. Kanë thënë se ka defekt.”

Ujësjellësi e ka pranuar defektin, megjithatë nuk ka dhënë një afat kur problemi pritet të marrë zgjidhje.

“Duhet njoftuar kur ka defekte të tilla se ne jemi në pritje.”

Të tjerë, të cilët kanë depozita, e kanë ndjerë më pak këtë mungesë

“Nuk e kam ndjerë se kam depozitën sipër.”

Jo vetëm qytetarët e thjeshtë, por edhe figura të politikës e kanë cilësuar të papranueshme mungesën e ujit të pijshëm në vitin 2021.