Kosova nis përgatitjet për Greqinë. Kufizimet ulin numrin e tifozëve në “Fadil Vokrri”
Kosova mori 3 pikët e para ndaj Gjeorgjisë dhe loja e mirë e tyre ka shtuar oreksin tashmë për skuadrën e Challandes. Dardanët janë rikthyer në shtëpi për t’ë nisur përgatitjet në “Fadil Vokrri” për duelin e të dielës ndaj Greqisë, një test shumë i rëndësishëm në kuadër të eliminatoreve të Botërorit 2022.
Teksa Challandes e ka grupin e plotë, problemi për skuadrën e Kosovës do të jetë mbështetja nga shkallët e stadiumit pasi për shkak të vendimit të fundit të qeverisë së Prishtinës, nuk do të lejohen më shumë se 1350 persona në shkallët e “Fadil Vokrri”.
Për shkak të atmosferës pozitive dhe paraqitjes së mirë që bëri Kosova, mësohet se Federata e Futbollit po negocion me qeverinë dhe me Ministrinë e Shëndetësisë që të lejojë deri në 20% të kapacitetit të impiantit të pranishëm. Pra synohet që të jenë të paktën 2500 tifozë në ndeshjen me Greqinë, por kjo mbetet pjesë e negociatave, shkruan Ora News.
