Italia barazon rekordin e pathyeshmërisë por Mancini nuk është i kënaqur
35 ndeshje radhazi pa asnjë humbje. Një Itali e jashtëzakonshme ajo e Roberto Mancinit i cili që kur e mori drejtimin e të kaltërve rinisi ngjitjen që u kurorëzua me trofeun e Kampionëve të Europës këtë verë. Mbrëmë, Italia luajti në “Artemio Franchi” ndaj Bullgarisë në sfidën e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës dhe falë barazimit të arritur, kjo kombëtare futet në librat e historisë me 35 ndeshje pa humbje radhazi duke barazuar dy skuadra të tjera.
I pari ishte Brazili i frikshëm i viteve 1993-1996 dhe e dyta Spanja në vitet 2007-2009 dhe që të dyja u ndalën në 35 ndeshje pa humbje. Disfata e fundit e Italisë është më 10 shtator të 2018 përballë Portugalisë, 1-0 në Nations League dhe tani pas 3 ditësh ndaj Zvicrës, ky rekord mund të bëhet absolut vetëm për të kaltërit nëse nuk do të humbasin, shkruan Ora News.
Gjithsesi pas ndeshjes me Bullgarinë, Roberto Mancini nuk ishte shumë i kënaqur pasi priste që ekipi kampion i Europës ta niste me fitore rrugëtimin e saj.
“Duhej të fitonim, do të ishte më mirë edhe për renditjen por tani ndryshon pak kur ndeshja mbaron. Skuadra në aspektin fizik ishte mirë dhe mendoj se duhej të ishim më preçizë përpara porte. Rastet nuk munguan për të shënuar, ndaj dhe më vjen keq që nuk morëm 3 pikë. Tani duhet të fitojmë një ndeshje shumë të rëndësishme përballë Zvicrës”, përfundoi trajneri i të kaltërve.
