Komiteti Olimpik i Kosovës shpërblen me 10 mijë euro kampionet olimpike
Është përmendur edhe më parë dhe sot vjen një tjetër konfirmim që Kosova bën një trajtim shumë të merituar financiar për sportistët e saj elitarë.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm në Olimpiadën e Tokyos, ku Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova i dhanë dy medalje të arta historike Kosovës, Komiteti Olimpik i Kosovës vendosi t’i shpërblejë kampionet e padiskutueshme dhe jo vetëm.
Bordi Ekzekutiv i KOK që u mblodh nën drejtimin e presidentit Ismet Krasniqi vendosi që dy kampionet olimpike të shpërblehen me nga 10 mijë euro ndërsa trajneri i tyre, Driton Kuka me 5 mijë euro.
KOK nuk harroi as pjesëmarrësit e tjerë të cilit garuan por nuk fituan medalje duke i shpërblyer me 500 euro.
Vendimi i KOK i shtohet edhe vendimit tjetër nga Qeveria e Prishtinës që ka një ligj të veçantë për shpërblimet e medalistëve, premio që e bëjnë Kosovën lider në rajon për trajtimin e sportistëve të tyre elitarë.
