Giacomo Vrioni: Me Ronaldon kam një sekret, do ta mbaj në zemër
Giacomo Vrioni është një nga lojtarët premtues të kombëtares kuqezi dhe është në pronësi të Juventusit. Pas eksperiencës me ekipin u23 bardhezi, për lojtarin shqiptar ishte koha që të bënte një hap të madh për të luajtur rregullisht dhe drejtuesit ia plotësuan dëshirën duke e dërguar te WSG Tirol në ligën e parë austriake, shkruan Ora News.
22-vjeçari i lindur në Itali por që ka zgjedhur fanellën kuqezi, ka patur një eksperiencë që ai e mban mend gjatë te Juventusi, kur stërvitej me Cristiano Ronaldon dhe në një invervistë për gazetën italiane “Tuttosport”, ai rrëfen një sekret që ka me portugezin por që nuk dëshiron ta ndajë me askënd.
“Cristiano një herë më mori mënjanë dhe më tha diçka shumë të bukur. E mbaj në zemër, si sekret. Unë nuk po e them këtë sa për të thënë. Unë kurrë nuk i kam thënë askujt për këtë sekret madje as miqve të mi më të ngushtë, dhe kurrë nuk do ta them”.
Sulmuesi shqiptar më pas foli për aventurën e tij të re në Austri. Vrioni tha se ka gjetur një ambient të mirë te skuadra e Tirol ku po luan shumë dhe në 5 ndeshja ka shënuar 3 gola teksa shtoi se skuadra është kompetitive dhe një klub shumë i organizuar.
