“Rama 3” Kalemi: Centralizim pushteti, ka ulur peshën e ‘bejlerëve’ si Balla, po tenton mandatin 4
Në një intervistë për Ora News, analisti Ilir Kalemi u shpreh se në kabinetin e ri Rama 3 shumica e ministrave janë rikonfirmuar duke ruajtur pozicionet e tyre ose duke pësuar zhvendosje.
Sipas tij, ai ka bërë që të heqin dorë shumë personazhe të cilët kanë pasur bastionet e tyre dhe kanë marrë shumë vota në zgjedhjet, duke e centralizuar akoma më shumë pushtetin.
Kalemi: Në kabinetin e ri Rama 3 shumica e ministrave janë rikonfirmuar duke ruajtur pozicionet e tyre ose duke pësuar zhvendosje. Emrat e rinj janë zëvendësuar pasi kanë pasur vite në drejtimin e ministrisë. Rama ka në kabinet 75% femra duke arritur një rekord botëror. Ai ka ulur edhe peshën e atyre që janë si tip bejlerësh rajonalë, si Taulant Balla që ka marrë shumë vota në Elbasan. Përmes kësaj mënyre ai ka bërë që të heqin dorë shumë personazhe të cilët kanë pasur bastionet e tyre. Nuk mendoj se janë penalizuar për performacën e tyre elektorale, sepse janë shpërblyer ata që kanë pasur performacë shumë të ulët.
Mendoj se Rama ka ruajtur ekuilibrat në parti duke u dhënë atyre poste në parti. Kemi një lloj rehabilitimi të të pakënaqurve, duke ruajtur ekuilibrat dhe zbehjen e faktorëve me peshë lokale. Kjo ka bërë që pushteti të centralizohet akoma më shumë në duart e Ramës që është edhe kryeministër, edhe kreu i PS-së. Nuk duket të ketë një shenjë të një tërheqje të Ramës në kohët e fundit, përpos ndonjë ftesë për ndonjë post ndërkombëtar sikurse është folur. Unë mendoj se Rama synon një mandat të katërt në këtë rast.
Kalemi shtoi se e gjithë pritshmëria e opinionit publik ishte te opozita se çfarë do të bënte në këtë rast, duke u shfaqur me emra të rinj, por sipas analistit PD zhgënjeu.
Kalemi: E gjithë pritshmëria e opinionit publik ishte te opozita se çfarë do të bënte në këtë rast, duke u shfaqur me emra të rinj. Një gjë tillë nuk ndodhi duke krijuar një zhgënjim, pasi pamë të njëjtat fytyra prej më shumë se 8 vitesh në PD. Pritej shumë më shumë nga PD për të qenë më afër qytetareve dhe figurave të spikatura për ta kanalizuar kenë energji kundër qeverisë, por mendoj se është një mundësi e humbur tashmë.

