Ujërat e zeza 'kanë marrë rrugët' në Shulbatër të Klosit, banorët: Po na futen brenda në shtëpi

Në fshatin Shulbatër të Klosit, ujërat e zeza vërshojnë në rrugë për shkak të mosfunksionimit të rrjetit të kanalizimeve.

"Me thënë të drejtën probleme me ujërat e zeza nuk kemi sot, por ka shumë ditë. Rrezik do plasin dhe do na vijnë në shtëpi ujërat e zeza. Kjo është kolerë," thotë një banor.

Kërcënim për të gjithë banorët, veçanërisht për më të vegjlit.

"Këtu është qendra shëndetësore, këtu është kopshti, madje shkolla ka qenë në ujë, në ujëra të zeza," thotë ai.

Por ndërsa ujërat e zeza u vërshojnë në derë të shtëpive, banorët thonë se vuajnë për ujë të pijshëm.

"Edhe ujë të pijshëm nuk kemi fare. Nuk e merr mundimin kryetari i bashkisë të sjellë ujë këtu," thotë banori.

Thonë se për këto problematika janë ankuar disa herë në bashkinë e Klosit, por asgjë nuk po ndryshon.

"Bashkia nuk ka bërë asnjë punë, vetëm ka hapur kanal. As i ka rregulluar, asgjë. I kam shkuar kryetarit të bashkisë dhe më ka thënë që nuk përgjigjet për këtë punë fare."

"Është bërë disa herë problem edhe nëpërmjet medieve por duket se ka rënë në vesh të shurdhër," thotë banori./OraNews/