Policët ju shfaqën tek dera, infermieri që vodhi ilaçet në farmaci: Kam borxhe tek shokët dhe kredi në bankë

“…Kam borxhe financiare tek shokët dhe një kredi për të shlyer, ndaj vendosa të vjedh farmacinë e spitalit…”.

Kjo është fjalia e parë që infermieri i spitalit të Korçës, Nikolin Ciko, u ka thënë punonjësve të policisë sapo ata i shkuan në banesë për ta marrë në pyetje.

Policët që ishin ngarkuar për të kryer hetime, shkuan në banesën e Nikolin Cikos, pas dëshmisë së marë nga miku i tij, Johan Athanas, i cili u deklaroi policëve se makina tip “Honda” që ishte parë pranë spitalit, ishte përdorur nga infermieri Nikolin Ciko.

“…makinën ja kam dhënë shokut tim Nikolin Ciko, pasi ma kërkoi vetëm për një ditë dhe ja dhashë. Në mëngjes ma solli makinën…”-ka deklaruar Johan Athanasi.

Kaq ka mjaftuar që policia e Korçës të drejtohet në banesën e infermierit, Nikolin Ciko.

Ky i fundit sapo kishte përfunduar shërbimin e turnit të tretë në urgjencën e spitalit të Korçës, kur sapo ka parë punonjësit e policisë, u është drejtuar atyre.

 “…Kam borxhe financiare tek shokët dhe një kredi për të shlyer, ndaj vendosa të vjedh farmacinë e spitalit…”

Në fakt policia u vu në dijeni për vjedhjen e farmacisë së spitalit nga njëri prej punonjësve të saj.

Farmacisti, Kristi Nuke, ka parë që dera e parë e farmacisë ishte e mbyllur ndaj dritarja e farmacisë prej nga shërbehen ilaçet në dobi të spitalit civil, ishte e thyer.

Ai ka njoftuar kryefarmacisten se ilaçet ishin vjedhur përsëri, pasi ka pasur edhe raste të tjera, kur farmacia ishte raportuar si e vjedhur.

Ndërkohë policia kur ka shkuar në vendgjarje ka konstatuar se farmacia ishte vjedhur nga ambjentet e brendshme të saj dhe jo të jashtme.

Në këto kushte, policia ka marrë në pyetje rojen e spitalit, i cili deri në atë fazë nuk dinte asgjë rreth asaj që kishte ndodhur brenda në spital.

Roja, Petrika Çomi, u ka treguar policëve se në orët e para të mëngjesit kishte parë të dilte nga dera e spitalit një person i veshur me veshjen spitalore dhe që në dorë mbante një qese të zezë.

Makina ishte e tipit "Honda", ka treguar roja, që më pas është identifikuar nga policia se i përkiste shtetasit Johan Athanas.

Ky i fundit ka treguar se makinën ja ka dhënë Nikolin Cikos, me detyrë infermier në spitalin e Korçës, pasi sipas tij, ai ja kishte kërkuar pasi mjetin e tij e kishte të prishur.

Por kur ka shkuar policia në banesën e infermierit ai është dorëzuar, duke nxjerrë dhe kutitë e ilaçeve që kishte vjedhur. Mes ilaçeve të vjedhura në farmacinë e spitalit janë “Vancomycinë”, “Hiperacilinë +”, ”Takobactam”, “Enoksaparinë”, “Albuminë humanë”, “Pretizolone 25 mg”, “Midozolam 15 mg”, “Herceptinë” etj.

Pritet që ditën e nesërme infermieri të dalë para gjykatës së Korçës, ku do njihet me masën e sigurisë të “arrestit në burg”.