Meta falenderon ministrin danez për ndihmën gjatë tërmetit dhe pandemisë: Mirënjohje për mbështetjen e vyer të Danimarkës
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është takuar sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, z.Jeppe Kofo, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Me këtë rast Ilir Meta, nëpërmjet një postimi në Facebook ka falenderuar Danimarkën për ndihmën që i ka ofruar Shqipërisë në kohë të vështira , siç ishte tërmeti i 2019-ës dhe pandemia.
Presidenti thekson rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe rritjen e investimeve daneze në fusha të rëndësishme për vendin tonë.
"Takim i përzemërt me Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, z.Jeppe Kofod.
Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona, duke nënvizuar rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të tyre veçanërisht bashkëpunimin ekonomik e tregtar dhe rritjen e investimeve daneze në fusha të rëndësishme për vendin tonë.
E falenderova për ndihmën e Danimarkës për ndërtimin e institucioneve të pavarura shqiptare dhe të shoqërisë civile, si dhe për qëndrimin inkurajues dhe mbështetës për proceset e integrimit europian të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në tërësi.
Mirënjohje për mbështetjen e vyer të Danimarkës në rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për ndihmën në përballimin e pandemisë COVID-19 përmes dhurimit të vaksinave për qytetarët tanë," shkruan Meta në Facebook.