E zgjodhi Sekretare të Rinisë, Rama krahason kreun e PD-së me 20-vjeçaren: Flet më bukur se Basha, zgjohet më herët se ai
Partia Socialiste mblodhi sot Asamblenë Kombëtare në Pallatin e Kongreseve, ku prezantoi emrat e kabinetit të ri qeveritar.
Kryeministri, Edi Rama ka emëruar studenten 20-vjeçare Bojkena Basha Sekretare të Rinisë.
Rama tha se Bojkena Basha është shumë më e mirë se kreu i opozitës, Lulzim Basha, flet shumë më bukur dhe zgjohet më herët se ai.
Me ton ironizues, Rama 'krahasoi' aftësitë e mira komunikuese të Bojkena Bashës me Lulzim Bashën, duke thënë se 29-vjeçarja thotë gjithmonë atë që mendon, ndryshe nga opozitari Basha.
"Detyrën e Sekretares së Partisë Socialiste dua t'ia besoj një vullnetareje 20 vjeç, e cila spikati në fushatën e fundit me fjalimet e saj. Përtej fjalimeve është një studente shumë e mirë dhe një aktiviste shumë e përkushtuar në komunitet.
Bojkena Basha flet më bukur se Lulzim Basha, zgjohet shumë më herët se ai dhe mbi të gjitha ndryshon nga ai, sepse thotë fiks atë që mendon dhe mendon fiks atë që thotë. Nuk është tiranse, nuk ka lidhje me Linda Bashën, jeton në Durrës, as nga Durrësi nuk është, dhe me mua nuk ka lidhje", thotë Rama.
Bojkena Basha kandidoi për PS në Durrës në zgjedhjet e 25 prillit, një nga kandidatet më të reja në moshë pasi ende nuk ka përfunduar studimet universitare.


