Policia iu vu mbrapa, 17-vjeçari në Durrës hedh pistoletën në oborrin e një banese, arrestohet
Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit pasi lëvizte me armë zjarri me vete dhe gjatë ndjekjes nga Policia e hodhi atë.
Blutë bëjnë me dije se rreth orës 04:00, në lagjen nr.6, Durrës, kanë konstatuar një shtetas, i cili pas thirrjes së punonjësve të Policisë nuk i është bindur urdhrit për ndalim, raporton Ora News.
Pasi është ndjekur nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka hedhur në oborrin e shtetasit G. K., çantën e dorës, brenda së cilës u gjet një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Falë veprimeve të shpejta nga strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi për veprën penale "Armëmbajtja pa leje ", i shtetasit I. R., 17 vjeç, banues në Durrës.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme./OraNews/
