Eshtrat e çiftit Pasho u gjetën në valixhe, hipoteza shokuese: Pas krimit makabër një shtatzani që duhej mbajtur sekret
Prokuroria italiane thotë se nusja vrau çiftin Shpëtim dhe Teuta Pasho me qëllim që këta të fundit të mos i tregonin djalit të tyre se ajo priste një fëmijë me një burrë tjetër, shkruan media italiane.
Ky duket se është motivi i krimit të rëndë që mendohet se ka ndodhur në nëntor 2015. Ndërsa eshtrat e çiftit u gjetën në dhjetor 2020 në disa valixhe të braktisura në afërsi të burgut Sollicciano në Firence dhe autostradës Fi-Pi-Li, në Itali.
Kështu pretendon deri tani akuza italiane, bazuar në hetimet e kryera nga prokurorja Ornella Galeotti, informon medie italiane, raporton Ora News.
Sipas hetimeve, gruaja kishte abortuar në një spital në Firenze në tetor 2015, pak ditë nga zhdukja e çiftit që ka ndodhur në 1 nëntor dhe lirimit nga burgu i Taulant Pashos më 2 nëntor.
Ky ishte djali i çiftit dhe i fejuari i Elona Kalesha, vajzës nga Durrësi.
Mëngjesin e 31 gushtit, gjatë seancës gjyqësore ku diskutohej masa e sigurisë e 36 vjeçares, prokurorja Ornella Galeotti paraqiti dokumente të reja, përfshirë raportin e marrjes në pyetje të Taulant Pashos.
Ai është shprehur se kurrë nuk e kishte ditur për shtatzëninë e 36-vjeçares, kishte mohuar se ishte i ati i fëmijës pasi kishte qenë burg.
Gjithashtu në bazë të asaj që u mësua, disa të afërm të Teuta Pashos deklaruan për hetuesit se disa ditë para se të zhdukej, ajo kishte shprehur dëshirën për të folur me djalin e saj për diçka që kishte të bënte me Elonën dhe se ai (Taulanti) duhet të zgjidhte mes familjes dhe të dashurës së tij.
Seanca është shtyrë me 20 shtator, pasi avokatët e vajzës kanë kërkuar kohë për shqyrtimin e dokumenteve të reja.
Ata kërkojnë lirimin e Elona Kalesha pasi thonë se në valixhet ku janë gjetur eshtrat e çiftit nuk ka pasur gjurmë të ADN-së të klientes së tyre.