Gjasula: Fokusi te Polonia, më pas sfidat e tjera. Të kapim sa më shumë pikë
Klaus Gjasula ishte lojtari tjetër që doli në konferencën për shtyp nga Varshava. Mesfushori ka lënë pas problemet fizike dhe këtë vit po luan te Darmstadt ku e pranoi se u transferua aty që të kishte mundësi për të luajtur rregullisht me kombëtaren.
“Është krenari të luash për kombëtaren. U transferova te Darmstadt që të kisha minuta e të vija në kombëtare sepse është shumë e rëndësishme për çdo lojtar. Në ndeshjet e fundit kemi treguar që po rritemi bashkë dhe më e rëndësishme është kur fitojmë ndeshjet pasi fitoret të japin besim dhe rritesh më shpejt. Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe kemi harmoni mes nesh. Kemi lojtarë të mirë. të gjithë kanë cilësitë e tyre dhe kemi bërë paraqitje të mira. Mesfusha pika e dobët? Ndeshja nuk humbet në mesfushë, në mbrojtje apo në sulm. Duhet të luajmë bashkë e të japim më të mirën. Polonia është ekip me shumë eksperiencë dhe me kualitet dhe do të jetë jë ndeshje e rëndësishme, kemi respekt për ta por frikë asnjëherë”.
Lojtari shqiptar theksoi se nuk duhet të bëhen shumë llogari por fokusi duhet të jetë në ndeshjen e parë me Poloninë dhe se synimi është që Shqipëria të marrë sa më shumë pike që të ketë sadopak shanse.
“Secili duhet të bëjë maksimumin, po ta fitonim ndeshjen do të ishte një plus i madh por edhe nëse humbet është një minus i madh. Duhet të kemi vëmendjen te paraqitja jonë dhe jo te kundërshtari. Çdo futbollist gëzohet kur shikon tifozë në stadium. pa ta nuk është njësoj, për ne ka shumë rëndësi. Do të jetë me rëndësi që të bëjmë paraqitje të mirë me Poloninë e më pas do të mendojmë për dy ndeshjet e tjera. Duhet të lëmë pak rrugën e hapur për të patur shanse më vonë. Të kapim sa më shumë pikë që kemi mundësi. Aventura te Darmstadt? Është ekip i mirë dhe me ambicie. Në futboll nëse nuk luan bëhet e vështirë në këtë moshë ndaj dhe u zhvendosa. Ne kemi një sezon stabël dhe po bëjmë mirë", përfundoi mesfushori shqiptar. /ORA News.
