Zgjedhjet në PD/ Bytyçi: Shoh një frymë të re të ekipit, dorëheqja e Markut goditje për PD

I ftuar në edicionin e lajmeve të RTV Ora, analisti Enver Bytyçi, ka komentuar zgjedhjen e organeve të reja drejtuese në Partinë Demokratike.

Ai është shprehur se ndryshimet që janë bërë në këtë forcë politike i sheh si një përpjekje për të harmonizuar ekipin përballë sfidave që do të ketë Partia Demokratike.

Ai ka thënë se ndryshe nga Partia Socialiste, Partia Demokratike ka në grupin e tij gra që kanë sukses dhe integritet.

"Ndryshimet në PD i shoh të natyrshme, i shoh si një përpjekje për të harmonizuar ekipin e ri në drejtimin e partisë në sfidat e reja që PD do të ketë. E shoh si një ekip që motivon demokratët në përgjithësi. Natyrisht ekipin e shoh më të zgjeruar se ekipin e mëparshëm. Është bërë mirë është krijuar një vend për nënkryetarin e PD me jashtë. Është lënë në një anë marrëdhënia diplomatike e kësaj force politike në opozitë por shumë e rëndësishme për politikën shqiptare. Mendoj që Duma do të krijojë  një strategji efektive për PD me eksperiencën që ka. 

Janë dy element që unë i shoh shumë pozitivë, sigurisht edhe Z. Alibeaj dhe Rushaj. Mendoj se janë persona të zgjedhur për detyrën që iu është caktuar. Detyrën që iu është dhënë Palokës, e shoh si një përpjekje për të lidh brezat që ekzistojnë dhe frymojnë në PD. PD është një parti 30 vjeçare që brenda saj janë disa breza. Shoh një freskim të ekipit, shoh një frymë të re të ekipit. Basha mendoj se është i kompletuar me ekipin që ai dëshiron ta ketë. Ndryshe nga PS, mendoj se kur Rama thirri në ekipin e tij shumë gra, shumica prej tyre nuk ishin emra të dëgjuar ndërkohë në PD shoh që gratë që janë thirrur për të kontribuar në pozicionet drejtuese janë gra të cilat janë konfirmuar në opinionin publik për suksesin e tyre, për modelin që kanë dhënë në shoqërinë shqiptare siç është Tabaku, Duma apo zonja të tjera. Kanë integritet dhe kanë dëshmuar aftësi e prefesionalizmin."

Përsa i përket dorëheqjes së Mark Markut nga mandati i deputetit, Bytyçi shprehet se ky i fundit së bashku me Bujar Nishanin ka dhënë  një kontribut në PD .

Analistin shton se kritikat e Markut ishin me vend, teksa thekson se ai nuk duhet të ishte larguar por të qëndronte në PD.

"Sigurisht që kontributet e Nishanit, Markut apo shumë njerëzve të tjerë, janë kontribute me vlerë dhe Kontribute që demokratët i vlerësojnë, ose s’paku duhet t’I vlerësojnë pa asnjë diskutim. Por Kryetarët e partive në përgjithësi, krijojnë ekipet e veta dhe ata kërkojnë mbështetje  dhe  jo kritika. Mendoj që Basha duhet ta dëshmojë se me ekipin që ka përzgjedhur do të ketë sukses në opozitë, sukses në rritjen dhe ngritjen e besimit të qytetarëve tek opozita. Nëse ai do të realizojë objektiv të tilla me ekipin që ka do të thotë që ai ka përzgjedhur një ekip që ia vlen të vlerësohet. Kritikët në PD do të doja ta shihja si një kritikë brenda saj, por jo jashtë PD, në kuptimin që tezat dhe pikëpamjet madje dhe batutat e PD nuk duhet të përkojnë në harmoninë me tezat, pikëpamjet dhe luftën që Edi Rama i bën PD. 

Kritikët duhet të jenë të kujdesshëm, kritikët duhet t’I përmbahen etikës, sidomos për demokratët sepse demokratët kanë ardhur në jetë për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Nuk kanë trashëgiminë e PS, nuk kanë mbi vete asnjë barrë që pse nuk duhet të krenohen. Kanë gabime dhe dështime, por janë të natyrshme dhe të zakonshme me proceset politike  të çdo vendi sidomos në tranzicion. Kritikat Markut në shumicën dërmuese i kam mbështetur seriozisht, ishin kritika me vend për të cilat PD duhet të ndalojë dhe duhet t’I shikojë. Por jam kundër çdo akti që bën kritikën dhe ikën nga beteja. Kjo më duket një ngutje, një shmangie , ndoshta e motivuar si qëndrim kritik. 

Është krejt e natyrshme të kritikosh dhe të qëndrosh aty. Nëse ikën ti kurrë nuk do ta kesh të drejtën në atë parti, nëse qëndron ti mundesh ta bësh pakicën shumicë. Nëse ajo do të përsëritet PD do të ketë një minus të tilla. Gabimet që bëhen e rëndësishme është të mos përsëriten. Marku kishte mundësi të qëndronte në PD dhe të korrigjonte arë që nuk shkon me këtë forcë politike, me idetë dhe konceptet e tij. Largimi dhe dorëheqja është një lloj goditje për PD. "- tha ai. 

Intervistoi Besmira Pelushaj, përgatiti përgatiti për online Anila Kolgjini.