Basha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformë zgjedhore dhe territoriale

Kryetari i demokratëve, Lulzim Basha, ka paraqitur para Këshillit Kombëtar strategjinë opozitare me nisjen e legjislaturës së re.

Veç reformës elektorale dhe asaj territoriale , kryetari i opozitës kërkon ndryshime kushtetuese. Ai synon ti japë fund paktit të bëre mes Ramës dhe Berishës në vitin 2008.

Basha: Është tashmë e qartë që ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore që duhet të vijnë si një reflektim dhe veprim i përbashkët i Partisë Demokratike dhe intelektualëve, studentëve, pedagogëve, sipërmarrësve, artistëve, gazetarëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë një demokraci funksionale.

Gjithashtu edhe reforma zgjedhore dhe territoriale janë po aq të domosdoshme për një shoqëri demokratike, sipas liderit të opozitës.

Basha: Ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.

Basha theksoi rëndësinë e  ushtrimit të demokracisë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare.

Ai dha edhe porosi për çdo deputet të zgjedhur të Partisë Demokratike, të cilet duhet të bëjnë të mundur që zëri i çdo shqiptari të dëgjohet dhe shqetësimet e tyre të mëdha apo të vogla të jenë të përfaqësuara.   

Basha: Është detyra jonë të organizojmë shumicën e shqiptarëve dhe rruga për ta bërë këtë është ajo me të cilën ndezëm të gjithë bashkë shpresën dhe besimin në zemrat e njerëzve për ndryshim”

Para anëtarëve të Këshillit Kombëtar kreu i demokratëve bëri dhe një bilanc  të zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat PD i konsideron si masakër si edhe për largimin e shqiptarëve, ndërsa u zotua se opozita  ka përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit. 

Pjesë nga deklarata e kreut të PD, Basha në Këshillin Kombëtar

Reformimi i PD në funksion të betejës kundër regjimit Rama

Basha ka risjellë në vëmendje atë që ai e cilëson masakër zgjedhore të 25 prillit, e cila sipas tij nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve.

Basha: Si fillim dua t’u uroj mirëseardhjen anëtarëve për herë të parë në Këshillin Kombëtar, që këtë vit është pasuruar me më shumë të rinj dhe të reja, me më shumë zonja dhe zonjusha.

Beteja të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve, e të tjera kemi përpara, pasi ajo që ishte e vërtetë para 25 prillit është e vërtetë edhe sot. Shqipëria ka ngecur në vend numëro, peng e qeverisë më të korruptuar në mbarë Europën, që punon kundër interesave të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve. Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë të më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që shkaktoi varfërimin dhe largimin e më e të paktën 500 mijë shqiptarëve.

Këshilli i ri Kombëtar, tha Basha, ka më shumë gra dhe të rinj. Ndaj ai kërkoi nga secili prej tyre që të bëhen zëri i qytetarëve.

Basha: Prandaj, përballë zgjidhjes së munguar dhe ndryshimit të mohuar përmes atyre mjeteve që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, ne kemi përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit e këtij vendi, për të qenë pranë tyre për problemet e vogla e të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.

Detyra e secilit prej nesh është të bëhemi zëri i qytetarëve, duke mos harruar për asnjë çast të vetëm se kush jemi dhe çfarë përfaqëson Partia Demokratike. Mos harroni se edhe kur kishim kundër nesh të gjithë shtetin, oligarkët, krimin e organizuar, ne, të gjithë bashkë arritëm t’u japim shqiptarëve shpresë.

Prandaj duhet të luftojmë me gjithë forcën tonë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë dhe të jemi krenarë për atë cfarë kemi arritur, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, siç ka bërë kundërshtari ynë, por vetëm me forcën e besimit tonë, duke mishëruar vlerat për të cilat kjo Parti ka lindur dhe jeton.

Pa ju referuar me emër konkret, Basha indirekt komentoi edhe dorëheqjen e Mark Markut.

Basha: Ndaj mbajeni kokën lart. Mos lejoni që të jemi antiopozitar që ka për qëllim goditjen e Partisë Demokratike si të vetmen shpresë për njerëzit e këtij vendi, të jetë më i fortë se bindja e secilit prej nesh se modeli që kemi zgjedhor, autoriteti moral që kemi fituar, nuk buron nga muskujt e krimit, nga paratë e koncesioneve apo nga shkrirja e partisë me shtetin.

Por nga besimi që ne kemi te vlerat tona, falë të cilave kemi qëndruar edhe në ditët më të errëta të këtyre tre dekadave, pa u thyer, pa u lodhur, pa e humbur vullnetin për të luftuar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kreu i demokratëve është shprehur se reformimi i PD bëhet në funksion të suksesit të betejës së tyre kundër këtij regjimi të korruptuatr dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit sipas tij presin me padurim.

Basha: Në 25 prill, shqiptarët na besuan dhe na dhanë forcë. Po ashtu demokratët, që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Ne kemi detyrën që këtë vullnet të shqiptarëve dhe të demokratëve ta kthejmë në aksion politik. Prandaj sot, jemi mbledhur për të përfunduar këtë fazë të parë të reformimit tonë të brendshëm në funksion të suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuar, dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim dhe që ju mohua dhunshëm në 25 prill.

Partia Demokratike u ndërtua nga guximtarë

Ekipi i ri i Bashës do të ketë më shumë gra në poste të rëndësishme. Kryedemokrati u shpreh besimplotë se ky ekipdo të çojë përpara një sfidë që nuk është opozitare, por kombëtare, kthimin e legjitimitetit dhe demokracisë

Basha: Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të Partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për clirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.

Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me cdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar.

Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese.

Të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në pozicionet e ndryshme drejtuese kanë mirënjohjen time dhe të demokratëve. Pres që harmonizimi i kontributeve të reja dhe ekzistuese të jetë në përputhje me pritshmëritë e demokratëve dhe shqiptarëve.

Në kushtet e kapjes gati totale të mediave, propaganda e kthen çdo gjë që është e lavdërueshme mes nesh, nga kërkesat për përsosje të mëtejshme te kritikat konstruktive, në një vorbull marramendëse, që na shtyn larg interesit publik duke na portretizuar në mënyrë të gënjeshtërt si të dobët apo në krizë.

Ne nuk duhet ta pranojmë këtë përmbysje të së vërtetës. Sepse të marrësh numrin e votave që ne morëm në 25 prill, pavarësisht krimit, oligarkëve, patronazhistëve, partisë të bërë njësh me shtetin, ndryshimeve të njëanëshme kushtetuese, do të thotë se përkundër të gjithave, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar.

Kështu që mos lejoni të hidhet poshtë mundi i demokratëve, mos lejoni të hedhin poshtë mundin tuaj, mos lejoni që e keqja të relativizohet, por le të punojmë fort, me vetëdijen se të gjithë bashkë kemi mundësuar një arritje të madhe pa pasur asnjë pushtet, të vetëdijshëm gjithashtu se i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për ta zhbërë këtë padrejtësi që nuk i është bërë vetëm demokratëve, por mbarë shqiptarëve.

Vëllezër dhe motra, ajo që na pret është një përballje e gjithanshme me regjimin.

Të gjithë e dimë që masakra e 25 prillit vetëm sa e thelloi krizën politike, ndërsa kundërshtari që kemi përballë, është zhytur edhe më thellë në bashkëpunimin e tij me krimin dhe oligarkët, të cilëve tani duhet t’iu paguaj haraçin për shërbimet që ata i bënë në shkatërrimin e zgjedhjeve.

Këtë faturë nuk do ta paguajë Rama, por shqiptarët. Zullumi vetëm trashet, korrupsioni vetëm bëhet edhe më kërcënues, krimi edhe më i epërm në arrogancën e tij përballë një shtetit të gjunjëzuar, ndaj dhe përballja me ta duhet të jetë e fortë dhe frontale.

Kjo përballje do të zhvillohet në cdo fushë të jetës politike dhe shoqërore, brenda dhe jashtë parlamentit, në mbrojtje të gjithckaje që kërcënohet nga kjo pakicë e korruptuar.

Përkundër masakrës zgjedhore, faturën të cilës sipas Bashës do ta paguajë Rama, kreu i demokratëve tha se PD mori mbështetjen e qytetarëve  sepse ështëpartia që i shërben interesit publik, jo vetes.

Basha: Të dashur vëllezër dhe motra, sfidat që kemi përpara janë te mëdha, ndaj vullneti dhe vendosmëria jonë duhet të jenë po aq të mëdha.

Ne kemi lindur si partia e njerëzve të lirë dhe ajo që na mban të bashkuar në këtë Shtëpi të Lirisë është dashuria për Shqipërinë, pasioni për të shërbyer në jetën politike të vendit tonë, pasioni për të punuar për zhvillimin dhe integrimin në Bashkimin Europian, me idetë dhe vlerat tona që na dallojnë si parti popullore Eruopiane.

Edhe pse jetojmë në kohë jo bujare për politikën, jo vetëm në Shqipëri, kur politika shihet me rezerva dhe difidencë, shqiptarët na besuan dhe na mbështetën; Edhe pse miliona euro harxhohen në propagandë kundër nesh, edhe pse asgjë demokratike nuk kishte në masakrën e 25 prillit, shqiptarët na dhanë një besim të jashtëzakonshëm për planet tona konrete, për vizionin tonë, për programin tonë.

Ndaj, në këtë moment përcaktues për demokracinë e vendit, është e rëndësishme më shumë se kurrë që përballja me regjimin të mos na largojë nga qytetarët dhe nga problemet e tyre. Rendin e ditës duhet ta përcaktojmë ne dhe ai duhet të jetë për shqiptarët dhe me shqiptarët.

Disa prej tyre ndoshta duan t’i qëndrojnë larg politikës, duke e konsideruar një gjë të keqe, por në fakt, përtej një interpretimi të nxituar të nxitur nga politikanë të gabuar, nëse njerëzit nuk merren me politikën, është politika që merret me ta.

Shembuj të tillë kemi plotë, nga gazi lotësjellës i pëdorur kundër grave dhe fëmijëve, te gjobat selektive, te të rinjtë që largohen ëndrraprishur për shkak të keqqeverisjes, taksat e larta apo korrupsioni që shkatërron institucionet që nuk janë të afta të japin shërbime, që fatkeqësisht mund të kushtojë edhe jetën, sikurse po ndodhë me pandeminë.

Ndaj, krahas të qenurit partia që i shërben qytetarëve dhe interesit publik, e jo vetes, kemi detyrën të jemi edhe partia që komunikon me shoqërinë, që e zhbën hendekun e pakapërcyeshëm midis njerëzve dhe politikës, që komunikon me qytetarët dhe i normalizon raportet e politikës me qytetarët.

Sigurisht duke u hapur edhe më shumë dhe duke u bërë sa më përfshirës, duke dhënë shembuj pozitivë dhe duke mbajtur gjithmonë një sjellje morale që frymëzon besim te qytetarët. Besim për të mos qëndruar pasiv, teksa Shqipëria qëndron në vend numëro, por që të zgjedhin angazhimin si mjet për të përmirësuar jetët e familjeve të tyre.

Ndaj hapja, modernizimi i vazhdueshëm dhe qarkullimi i elitave brenda Partisë Demokratike duhet të jenë pjesë e përditshme e përpjekjeve tona të përbashkëta, për të rritur besimin dhe inkurajuar angazhimin qytetar. Kjo kërkon angazhimin e secilit prej nesh në zgjerimin e formacionit tonë politik me përfshirjen e të gjitha grupimeve shoqërore, e të rinjve dhe të rejave, e çdo individi që beson tek demokracia, që beson tek liria dhe tek e ardhmja europiane e vendit tonë.

Nuk ka për të qenë e lehtë, por jam i bindur që askujt nuk i mungon guximi për të luftuar, për të mos u dorëzuar, për ta çuar deri në fund përballjen me regjimin.

Sepse, në fund të fundit, Partia Demokratike nuk u ndërtua nga njerëz të frikësuar. Partia Demokratike u ndërtua nga guximtarë, nga njerëz që nxitën ëndrrën për një Shqipëri europiane, që kishin këmbëngulejn e palëkundur për të çuar përpara vlerat te të cilat të gjithë besojmë dhe janë ende busulla e një kombi që kërkon liri dhe demokraci.

Kjo është Partia Demokratike, këta jemi ne, ky është edhe fati ynë dhe këtë do t'u themi njerëzve.

Basha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformëBasha vendos kushtet për Ramën: Ndryshime kushtetuese, reformë