Dyfishohen lejet e ndërtimit, Tirana renditet e para, Gjirokastra e fundit
Numri i lejeve të ndërtimit dhe sipërfaqja e shfrytëzuar për këtë qëllim kanë shënuar rritje të ndjeshme duke mos e ndalur vrullin as gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se në këtë periudhë janë miratuar nga bashkitë e vendit 544 mijë metër katror nga 322 mijë që ishte ky tregues në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tirana kryeson listën e bashkive që kanë dhënë më shumë sipërfaqe për ndërtim duke zënë më shumë se 50% të totalit.
Konkretisht, nga marsi në qershor kryeqytetit i janë hequr edhe rreth 374 mijë metra katrorë.
Pas bashkisë së kryeqytetit, renditet ajo e Durrësit e cila ka zënë me ndërtime 77 mijë metra katrorë që më parë ishin të lira.
Krahas sipërfaqes, rritje të ndjeshme ka shënuar edhe numri i lejeve të ndërtimit.
INSTAT raporton se gjatë tremujorit të dytë pushteti vendor ka dhënë 347 leje ndërtimi për ndërtesa të reja me një rritje prej 66% krahasuar me një vit më parë.
Vlera e investimeve në këtë fushë shkon në 23.1 miliardë lekë, nga të cilat 12.6 miliardë janë në Tiranë.
Për nga numri i lejeve të miratuara në krye renditet qyteti bregdetar i Durrësit me 100 të tilla dhe ndjekur më pas nga kryeqyteti me 86.
Gjirokastra duket se është kursyer më shumë në këtë drejtim pasi ka miratuar vetëm 4 leje ndërtimi dhe 397 metër katrorë.
Sipas INSTAT, në 347 lejet e firmosura 252 janë dhënë për banesa dhe pallate me dy ose më shumë kate. Po ashtu janë dhënë leje për 7 hotele të reja.
Kryeqyteti vijon të zgjerohet me ritme të shpejta sidomos me kulla shumëkatëshe kryesisht në zonën e qendrës, ndërkohë që çmimi i apartamenteve vijon të rritet në nivele që për shumicën e qytetarëve konsiderohen të papërballueshme./OraNews/
