Arrestohen mes malesh 2 rojet e hashashit, filmohet me dron operacioni
Dy persona u arrestuan nga policia e Vlorës me akuzën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje pas një operacioni të kryer në fshatin e Bestrovës.
Policia njoftoi se gjatë operacionit ka sekuestruar armë, bimë kanabisi, por edhe radio komunikuese si ato të policisë, të cilat mesa duket përdoreshin nga kultivuesit e bimëve narkotike.
Sipas njoftimit të policisë së Vlorës, të arrestuarit janë Augest Lame, 28 vjeç, banues në fshatin Bestrovë dhe Detjan Selimaj, 35 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, Vlorë.
Arrestimi i tyre është bërë pasi sipas policisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë kultivuar bimë të dyshuara cannabis sativa, në një sipërfaqe toke në vendin e quajtur “Çeplazet”, në fshatin Bestrovë.
Pamjet e publikuara nga ana e policisë, tregojnë se operacioni është kryer edhe me pjesëmarrjen e një droni vëzhgues nga lart, i cili ka filmuar jo vetëm parcelën me lëndë narkotike por edhe momentin e arrestimit të kultivuesve të kanabisit.
Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj dy të arrestuarve në ambientet ku qëndronin këta dy shtetas u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike kanabis, 4 armë zjarri automatike, municion luftarak, 3 radiomarrëse dhe tri aparate celular.
Dyshohet se dy të arrestuarit kryenin rolin e rojës së parcelave me drogë pasi ishin pajisur me armë zjarri, por edhe me radio komunikuese në distancë.
Ndaj shtetasve Augest Lame, dhe Detjan Selimaj janë ngritur akuzat e “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, e municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” ndërkohë që po vijojnë hetimet për identifikimin e pjesëmarrësve të tjerë në këtë aktivitet./OraNews/




