Në BMW me mitraloz e pistoleta, Aldi Mustafa mik i “Rumit” të Shijakut e Plaurent Dervishaj në Durrës
Njëri nga personat e arrestuar në Durrës gjatë aksionit për bllokimin e tre pistoletave, një mitralozi dhe një sasie eurosh, rezulton të jetë pjesë e një grupimi kriminal në zonën e Shijakut.
Sipas burimeve të policisë së këtij qyteti, Aldi Mustafa, ka njohje dhe miqësi me Plaurent Dervishaj, person ky që tashmë është shpallur në kërkim nga prokuroria e Posaçme SPAK, për akuzën e vrasjen së Klodian Saliut në muajin shkurt 2005.
Pavarësisht se Mustafa dhe Dervishaj kishin njohje me njëri-tjetrin, kohet e fundit, mësohet se ai shoqërohej dhe me Aleksandër Lahon, ose “Rumin” e Shijakut, që dy vite më parë mbeti i plagosur rëndë në atentatin me armë që ju krye tek mbikalimi i Shkozetit.
Policia kriminale e Durrësit kishte marrë informacion për lëvizjen e tyre me armë, falë përgjimeve parandaluese, ku ka rezultuar se këta persona po organizoheshin për të transportuar diçka.
Me sa duket Aldi Mustafa, Uran Zyka nga Shijaku dhe Tahir Gjinika, po grumbullonin sasinë e armëve, me qëllim realizimin e një vrasje.
Policia dhe Prokuroria, deri në këtë fazë të hetimit nuk është në gjendje të përcaktojnë se kush ishte personi që do ekzekutohej me armët që po grumbulloheshin.
Por dyshimet e forta janë se armatimi i rëndë do përdorej nga anëtarët e grupeve kriminale në Durrës, që tashmë kanë nisur një “luftë” të hapur në këtë qytet.
“Luftë” e cila e ka zanafillën qysh prej konflikteve për çështjen e pronave në gjirin e Lalëzit, duke vijuar me regjistrimin e viktimave nga të dyja palët.
Ajo që ka ngritur mjaft dyshime të forta se tre personat do kryenin vrasje, është fakti i sekuestrimit të një mitralozi prodhim sovjektik, në sediljen e pasme të automjetit luksoz tip BMV.
Arma e rëndë, në momentin e kapjes nga policia ishte bërë gati për të qëlluar, pasi në folenë e saj, u gjend dhe një plumb. Me sa duket, një nga tre personat do pozicionohej me mitroloz në sediljen e pasme, ku nga brenda makinës ka shumë gjasa të qëllohej drejt objektivit, që këta tre persona kishin për mision të ekzekutonin.
Deri në këto momente ndaj tre personave është ngritur akuza e “Mbajtjes pa lejë të armëve dhe municioneve” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.

