Dorëheqja e Markut, Baçi: Kërkonte që linjat e një partie opozitare të ishin më të forta

Mark Marku, deputeti i zgjedhur i PD-së e dorëzoi mandatin ditën e djeshme, 27 gusht ende pa u ulur në Parlament.

Publicisti Agim Baçi i ftuar në studion e Ora News tha se ky është një vendim i zotit Mark. Sipas tij, Marku ndoshta ka pritur që të ketë më shumë zëra pro qëndrimeve të tij. Sipas zotit Baçi, Marku kërkonte një vijë më luftarake dhe ku linjat e një partie opozitare të ishin më të forta.

Baçi: "Është një vendim i zotit Marku. Ai ka qenë në vazhdën e kësaj, duket sikur plotësoi të gjithë atë thelbin e qëndrimit të tij në Këshillin Kombëtar. Ndoshta ka pritur që të ketë zëra më shumë pro qëndrimeve të tij lidhur me saktësimin e qartë të PD-së, lidhur me procesin e zotit Berisha apo lidhur me protestat ndaj vjedhjes së votës në 25 prill, vijën e tij në PD që kërkonte të ishte një vijë më luftarake, më e ashpër dhe ku linjat e një partie opozitare të ishin më të forta dhe t'i përgjigjeshin zemërimit."

Zoti Baçi foli edhe për qeverisjen e dy partive më të mëdha në vend dhe tha se PS-ja nuk mund të krahasohet me PD-në. Nuk mund të thuhet se PD-ja ka pasur njerëz 'engjëj' në parti por nuk ka apasur persona që mburren se kanë bërë spiunllëqe si në Ps.

Baçi: "Nëse kthejmë kokën mbrapa qeverisjet e PD-së dhe PS-së nuk kanë të krahasuar. Nuk them që Partia Demokratike ka qenë me engjëj, me njerëz të pakorruptuar apo njerëz që nuk i përkisnin të kaluarës komuniste, por në PD nuk është krenuar njeri që ka bërë spiunllëqe apo ka vjedhur gjë që në PS është krenari sot. Ndihemi qesharakë kur dëgjojmë pas 8 vitesh kryeministrin që i drejtohet qeverisë së tij t'i japë fund ryshfeteve, t'i japin fund tenderave publikë, del dhe bën thirrje për drejtësi a thua se ka qenë në opozitë. Të gjitha këto nënkuptojnë keqqeverisjen e tij. Përmes keqqeverisjes së PS-së paska marrë fund misioni i opozitës, misioni i P-së është kaq qesharake dhe është një narrativë e krijuar nga njerëz si zoti Rama dhe njerëzit rreth tij. E kemi thënë dhe e themi përsëri vetëm nëse fillon funksionimi i drejtësisë atëherë denoncimet e opozitës dhe të medies do merrnin kuptim."

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Xhuljana Zhuleku