Reali bën ofertën e fundit për Mbappe. Al-Khelaifi: PSG nuk ndryshon qëndrim

Është një situatë e “nxehtë” ajo mes Real Madrid dhe Paris Saint Germain, gjithmonë për çështjen Kylian Mbappe. Pas ofertës së parë zyrtare dhe të refuzuar në Paris për sulmuesin francez, klubi spanjoll ka nisur ofensivën e radhës dhe nga Spanja bëjnë të ditur se kanë bërë ofertën tjetër për Mbappe që në fakt do të jetë finalja.

Bëhet fjalë për një ofertë prej 170 mln Euro plus 10 mln të tjera bonuse, pra në total 180 mln Euro që Mbappe të transferohet menjëherë te Real Madrid shkruan Ora News.

Ndërkohë që oferta ka mbërritur në postën e PSG, është Al-Khelaifi ai i cili ka folur për këtë çështje që duket se ka acaruar së tepërmi palët e përfshira.

Pas shortit të hedhur në Stamboll, numri 1 i klubit parizien ia ka bërë të qartë Realit duke deklaruar se nuk ka ndyshuar aspak qëndrim dhe se pozicioni i klubit mbetet i qartë.

Sipas kësaj deklarate, Al-Khelaifi bashkohet me fjalët e Leonardos i cili deklaroi një ditë më parë se Mbappe do të largohet vetëm me kushtet e PSG, pra një shifër që i afrohet 220 milionë eurove të kërkuara nga Al-Khelaifi.

Reali nga ana tjetër ia ka bërë të qartë se oferta është kjo, mere ose lëre dhe në fakt përfiton klubi spanjoll në këtë rast pasi Mbappe do të shkonte falas verën e ardhshme në Spanjë.