Dorëzohet PSG, Al Khelaifi cakton çmimin për të lënë të lirë Kylian Mbappe
Është thënë gjithmonë që kundër dëshirës së lojtarit nuk mund të dalë asnjë skuadër. Kështu vlen edhe për Kylian Mbappe i cili hapur ka kërkuar largimin nga PSG, dhe në orët e fundit është ndezur merkato me ofertën zyrtare nga Real Madrid, shkruan Ora News.
Pavarësisht dëshirës së hekurt të Al Khelaifit për ta mbajtur dhe për të tentuar që ta bindë për të rinovuar, sulmuesi e ka vendosur dhe te PSG janë dorëzuar sipas "L'Equipe".
Gazeta e madhe franceze shkruan se klubi parizien është i orientuar të pranojë ofertën e Real Madrid edhe pse besonte se Real Madrid për shkak të vështirësive financiare nuk do të bënte ofertë.
Gjithsesi, çdo lojtar ka një çmim dhe po sipas të përditshmes franceze, me 200 mln Euro në tryezë, PSG, do ta lërë të lirë Mbappe që të bashkohet me Real Madridin. Bisedimet vijojnë dhe këto ditë të fundit të gushtit do të jenë më të nxehtat e futbollit në kontinentin e vjetër.
