Shpërndanin drogë në Tiranë, Gjykata lë në burg efektivin e RENEA-s, e dy të arrestuarit, Luli pranon kokainën e gjetur
Tri ditë pas arrestimit, efektivi i repartit RENEA në Policinë e Shtetit, Rael Luli, ka pranuar se merrej me shpërndarje kokaine në Tiranë. I riu u la në "arrest me burg" nga gjykata me kërkesë të prokurorisë, ndërkohë që në dosje, thuhet se polici kishte krijuar një laborator droge pranë banesës së tij. Kokaina e sekuestruar gjatë arrestimit të oficerit mësohet se është blerë nga një agjente e infiltruar, e cila i ka dorëzuar të dyshuarit kartmonedha me numër serie të regjistruar para aksionit.
Ish-efektivi i Repartit të Forcave Speciale RENEA, Rael Luli, ka pranuar në gjykatë se kryente prej kohesh akivitetin kriminal të shitjes së lendës narkotike, por është munduar të shfaqësojë të arrestuarit e tjerë me pretendimin se nuk kanë lidhje me grupin.
Të martën polici është lënë në masën "arrest me burg".
Në të njëjtën masë janë lënë edhe dy të arrestuarit e tjerë Gevi Spahia e Jurgen Luli.
Sipas prokurorisë hetimi filloi disa muaj me parë ndërsa efektivi ishte përgjuar dhe fotografuar nga kolegët teksa shiste lëndë narkotike.
Në momentin e arrestimit ai ka rënë në kurth nga policia teksa ishte organizuar një blerje e stimuluar.
Konkretisht, një grua që kishte pranuar të bashkëpunonte si agjente e infiltruar, i ka kërkuar efektivit disa doza lënde narkotike duke i dhënë pagesën me kartmonedha të cilëve u ishte regjistruar më herët numri serial.
Policia ka ndërhyrë në momentin kur efektivi i RENEA-s kishte vënë kokainën në tavolinën e banesës ku jetonte me qira së bashku me të arrestuarin tjetër Jurgen Luli.
Ky i fundit ka qenë duke u larë në dush në momentin kur ka ndërhyrë policia dhe ka deklaruar në gjykatë se me efektivin nuk e lidh tjetër gjë vetëm jetesa në të njëjtën banesë për të ndarë qiranë.
Ndërkohë, sipas prokurorisë, efektivi kishte marrë edhe një tjetër shtëpi me qira, të cilën e kishte kthyer në laborator droge përballë banesës ku jetonte.
Oficeri i RENEA-s ka pranuar para gjykatës se krahas armës që kishte me leje, kishte blerë edhe një tjetër pistoletë, të cilën e përdorte pasi arma e shërbimit ishte më e madhe dhe e pengonte gjatë lëvizjes.
Por ndërsa ka pranuar aktivitetin kriminal, efektivi i RENEA-s nuk është treguar bashkëpunues me drejtësinë sa i përket emrave të personave me të cilët bashkëpunonte, pasi nuk ka treguar ku e merrte lëndën narkotike dhe çfarë roli luante në këtë grup.
Prokuroria e Tiranës bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura po kryen hetime edhe për dy efektivë të tjerë të policisë që dyshohet se janë përfshirë në aktivitet kriminal.

